Lihet në burg ish-drejtori i Kadastrës së Vlorës, Klodian Troci, i akuzuar për shpërdorim të detyrës. Gjykata e Vlorës, me kërkesë të prokurorisë, ka lënë në fuqi të njëjtën masë sigurie, ‘arrest me burg’.
Ish-drejtori i Kadastrës u arrestua mbrëmjen e së dielës, pasi akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”. Gjatë kontrollit të banesës në Tiranë, atij i janë gjetur rreth 65 mijë euro, të cilat u sekuestruan.
Ai ka drejtuar dy herë zyrën e Kadastrës në Vlorë për mbi një vit deri në shtator të vitit 2019 si i komanduar dhe së fundmi rreth 1 vit pas dorëheqjes së Jurgen Pilkapit.
Në një fazë të ndërmjetme, ka punuar edhe në Zyrat e Administrimit të tokës pranë Këshillit të Qarkut. Gjatë kësaj kohe ai ka marrë në dorëzim Akte të Marrjes së Tokës në Përdorim të vulosura dhe të firmosura.
Troci u arrestua pas hetimeve disa javore të kryera nga Prokuroria e Vlorës për falsifikimin e dy dosjeve të një prone në Dhërmi.
Ai dyshohet se ka bashkëpunuar me Bardhyl Gjikën, drejtorin e administrimit të tokave në Vlorë bashkë dhe me specialistin Kreshnik Mino, të cilët ndodhen në burg për falsifikim të dokumenteve të pronësisë në favor të Spiro Dunit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.