Depozitat e individëve, bizneseve dhe institucioneve të tjera në sistemin bankar shënuan sërish rritje në janar, duke arritur një nivel të ri historik rekord.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i kursimeve në banka në fund të janarit 2022 ishte 1.23 trilionë lekë, ose më shumë se 10 miliardë euro.
Në krahasim me dhjetorin, kursimet u rritën me 1.5%, ose 18 miliardë lekë më shumë.
Rritja ka ardhur nga valuta, ndërsa kursimet në lekë shënuan një rënie të lehtë. Depozitat në monedhën e huaj u zgjeruan me 2.7% (+18 miliardë lekë) në raport me fundin e vitit të kaluar. Shtimi i depozitave në valutë erdhi si nga individët ashtu dhe nga bizneset.
Me bazë vjetore depozitat në banka janë shtuar me 10.8%, ose 120 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Mbi 80% e kësaj rritje ka ardhur nga valuta, e nxitur si nga bizneset ashtu dhe nga individët.
Të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se rritja e kursimeve në banka është përshpejtuar ndjeshëm dy vitet e fundit (2020-2021).
Gjatë vitit pandemik, kursimet u nxitën nga monedha vendase, teksa individët nuk kishin shumë mundësi të shpenzonin, ndërsa në 2021 ishte valuta ajo që udhëhoqi rritjen.
Gjithsesi, edhe kursimet në lekë po rriten tre vitet e fundit, pas rënies së tyre që u nxit nga lehtësimi i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë nga viti 2011, me uljen e vazhdueshme të normave të interesit.
Valuta mbetet monedha më e preferuar për të kursyer, e ndikuar dhe nga prurjet e emigrantëve. Në janar 2022, rreth 55.2% e kursimeve ishin në valutë, kryesisht në euro, nga 53.6% të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.