Nga Gazeta ‘Si’- Një nisje pa bujë dhe një përmbyllje po aq e qetë, duke mbetur thellësisht autentik e minimalist. Ky është, pak a shumë, prologu dhe epilogu i festivalit TIVA (Tirana International Video Art), një prej festivaleve më të rëndësishëm në rajon dhe i vetmi në Shqipëri i dedikuar ekskluzivisht videoartit.
Në një instalacion thuajse mahnitës, të ngritur në kohë rekord brenda hapësirës së qelqtë të HangarT, rreth 60 ekrane shfaqin videot e përzgjedhura si më të mirat e edicionit. Secili ekran mban brenda një botë më vete; secili frymon shpirtin e një artisti që komunikimin me botën e ndërton përmes zhurmave, tingujve dhe imazheve herë surreale, herë të drejtpërdrejta.
Reflektimi i këtij instalacioni në xhamat e sallës e shumëfishon prezencën e tij, duke shpërndarë në hapësirë një “trup të copëzuar” që shton edhe më shumë misterin , ndoshta i paimagjinuar nga organizatorët, por padyshim një surprizë e beftë që i shton vlerë gjithë skenografisë. Në ekrane vijnë artistë nga mbarë bota, nga Brazili e deri në Tiranë. Kufjet e vendosura në krah u japin vizitorëve mundësinë ta ndjejnë pranë imazhin lëvizës dhe, pa e kuptuar, ta përziejnë atë me tingujt e një videoje tjetër; një ansambël spontan zërash e imazhesh që lind rastësisht, por funksionon në mënyrë të mrekullueshme.



Ndoshta pikërisht kjo ka qenë edhe ideja e kuratorëve: të krijojnë një përvojë tërësisht unike për artdashësit, duke ua vjedhur vëmendjen me çdo mjet të mundshëm. Por instalacioni nuk ishte i vetmi vend ku videot shfaqeshin. Salla e Arkivës së Filmit ofronte një hapësirë të dytë, më të qetë dhe të strukturuar, për publikun më kërkues që dëshiron t’i shohë e vlerësojë veprat ndamas dhe me më shumë fokus.
64 konkurrues nga 215 aplikime, katër netë shfaqjesh dhe katër çmime e bëjnë TIVA-n një festival plotësisht europian, një term që organizatorët as nuk e shmangin, as nuk e përdorin për bujë. Rregullat e tyre janë të qarta: minimalizëm, pak fjalë dhe shumë punë. Këtë e treguan edhe në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve, ku kuratori Florian Haxhihyseni foli aq pak e aq thjesht, sa të linte pa fjalë me modestinë e tij dhe lehtësinë me të cilën kapërceu tërë lodhjen e prapaskenës.
Në të njëjtën frymë qëndruan edhe Edrin Koleka, organizatori i festivalit, Endi dhe Besi (ky i fundit i pranishëm vetëm me emër). Secili, i vetëdijshëm për punën që fliste vetë ( dhe që do të vazhdojë të flasë gjatë ) i shmangu pozat solemne dhe vetëkënaqësinë. Meritën e kalonin nga njëri-tjetri si një top ping-pongu; një gjest sa modest, aq edhe i rrallë në ditët e sotme.


Juristët Robert Aliaj dhe Vladimir Myrtezai shpallën çmimet mes duartrokitjesh miratuese të publikut. Dy çmimet T.I.V.A Special Mention 2025 u fituan nga Blendi Shahu dhe Joana Claude; çmimi T.I.V.A Special Jury shkoi për artistin Rodrigo Torres; ndërsa çmimin e madh T.I.V.A Award e mori Sead Kazanxhiu, i cili e lidhte domethënien e veprës së tij me prejardhjen rome dhe traditat e tyre autentike , një element që edhe juria e vuri në dukje.
Kështu, me një ceremoni edhe më minimaliste se ajo e hapjes, TIVA Awards uli siparin e edicionit të dytë, pa shumë zhurmë, pa kakofoni, por me thelb dhe produkt. Si i vetmi festival që qëndron larg “llustrave fosforeshente” të një jehone boshe, TIVA vijon t’i sjellë publikut shqiptar cilësi, freski dhe një tribunë të denjë për të gjithë të rinjtë që kanë vendosur t’i përkushtohen artit dhe ta kthejnë atë në profesion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



