Gazeta Si – “Kush na sulmon për këto lloj festimesh nuk e njeh kulturën e Brazilit, mënyrën e të qenit të brazilianëve, bën pjesë në edukimin e fëmijëve tanë”. Trajneri Tite u përgjigjet kështu kritikave që vërshuan pas fitores me Korenë e Jugut për kërcimet e lojtarëve, në një prej të cilëve u përfshi edhe trajneri.
Ai premton të tjera ‘kërcime pëllumbi’, në rast fitoreje me Kroacinë në çerekfinale të Botërorit: “Nëse duhet të vallësoj përsëri, do ta bëj. Vetëm se u kam kërkuar lojtarëve që të më mbulojnë”, – ka thënë më tej me humor Tite.

“Historia ime tregon se i kam respektuar gjithmonë të gjithë. Bëra atë kërcim (me Riçarlison) si një formë lidhjeje me gjeneratat e reja. Jam 61 vjeç dhe gati të gjithë lojtarët e Brazilit mund të jenë nipat e mi”, – shton trajneri brazilian. “Herën e parë më ngriu qafa, kam frikë se më bllokohet krahu tani”, – bën humor Tite.
Fitorja ndaj Koresë së Jugut iu dedikua Pelesë, për të cilin trajneri është shprehur: “Është një frymëzim për të gjithë ne dhe shpresoj ta marrë veten. Momenti i tij i vështirë ka bashkuar tifozët e gjithë botës. Pelé është një shembull botëror solidariteti”.

Për ndeshjen me Kroacinë, ku Brazilit pritet t’i mungojë sërish Aleks Sandro, Tite tha: “Të shohim, por me shumë mundësi nuk luan. Duhet të flas sërish me stafin mjekësor për situatën, që është ndryshe nga ajo e Nejmarit”.
Mbrojtja e Brazilit pritet të jetë si me Korenë e Jugut, me Eder Militao mbrojtës të djathtë dhe Danilo i majtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



