Gazeta Si – “Ka presion, por edhe qetësi për të shfrytëzuar shanset që të jepen në jetë. Tostao ka thënë se është bukur të ëndërrosh, kështu që le të ëndërrojmë të bëjmë një Botëror të madh dhe të shpallemi kampionë”.
Janë fjalët e trajnerit të Brazilit, Tite, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Serbinë. Ai nuk ka dashur ta zbulojë 11-shin, me të cilin Seleçao do të zbresë nesër në fushë, për të mos i dhënë mundësi kundërshtarit ta marrë vesh më përpara.

“Unë bëj zgjedhjet, disa pëlqehen dhe disa jo. Por duhet një skuadër e ekuilibruar”, – ka shpjeguar trajneri brazilian. Pavarësisht se ai është i rezervuar, shtypi brazilian shkruan se Seleçao do të zbresë në fushë me një formacion të ri në stadiumin ‘Lusail’.
Tite ka menduar të aktivizojë Vinicius si titullar në të majtë të sulmit dhe të spostojë Lukas Paketën në qendër, në krah të Kasemiros. “Brazili ka traditë dhe njerëzit kanë shumë pasion për futbollin. Jam i ndërgjegjshëm, jam i pari që e kuptoj këtë gjë. Është bukur të bësh një punë nga fillimi në fund dhe të kesh mundësi suksesi.
Dhe unë jam i privilegjuar, sepse mund të kishte edhe të tjerë në vendin tim. Vetëm një skuadër do të fitojë, kështu që presioni është i paevitueshëm”, – ka theksuar në fund Tite.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



