Gazeta Si – Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka njoftuar se Alban Dervishi, një shqiptaro-amerikan, do të marrë komandën e një luftanije amerikane
Sipas njoftimit të Ambasadës në rrjetin social Facebook, Dervishi do marrë komandën e luftanijes, USS Pearl Harbor në qershor të këtij viti.
“Një ‘Tirons’ që merr komandën e një luftanijeje amerikane! Njihuni me Komandant Alban Dervishin, shqiptaro-amerikani i cili do të marrë komandën e USS Pearl Harbor në qershor të 2025-ës. I lindur në Tiranë dhe me origjinë nga një familje ushtarake, Albani dhe prindërit e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara 25 vjet më parë për të ndjekur ëndrrën amerikane”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës.
Ambasada e SHBA-ve shkruan në postimin e saj se Dervishi ka lindur në Tiranë dhe është me origjinë nga një familje ushtarake. Po ashtu në njoftim thuhet se Albani dhe prindërit e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara 25 vjet më parë për të ndjekur ëndrrën amerikane.
“Jam Alban Dervishi, lindur e rritur në Tiranë. Çun Petro Nini në shkollë të mesme dhe isha vetëm 16 vjeç, kisha mbaruar vitin e dytë në gjimnaz dhe vajtëm në Nju Jork. Ndihem shumë krenar që këtë qershor të marrë komandën e USS Pearl Harbor dhe është një nder. Mezi pres të kryej detyrën. Babain dhe gjyshin e kam pasur ushtarak. E kam nisur si marinar i thjeshtë. Gjatë karrierës sime kamë qenë në 7 anije të ndryshme ushtarake dhe kam lundruar në çdo det të ndryshëm të botës, duke përfshirë edhe operacionet më kritike si të luftës së Afganistanit, Irakut dhe operacione të tjera. Ekziston njëfar theksi atje dhe gjithmonë më pyesin nga e keni prejardhjen dhe e them me shumë krenari që kam shqiptar”, tha Alban Dervishi në videon e publikuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.