Një 62-vjeçar nga Fieri është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e sotme në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në Liqenin e Tiranës dhe viktima sipas policisë është Haxhi Baçinozi.
Paraprakisht dyshohet për një atentat, pasi është qëlluar me armë zjarri nga një mjet në prani të djalit të tij. Policia ka shoqëruar djalin e viktimës në drejtorinë e Policisë si dëshmitar okular në vrasje, po kështu janë pyetur edhe dëshmitarë në vendngjarje.
Ai është ekzekutuar me disa plumba dhe ka mbetur i plagosur, por ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në sallën e operacionit. Autorët më pas janë larguar në drejtim të Saukut.
“Rreth orës 18:15, tek Liqeni Artificial, është vrarë me armë zjarri, shtetasi H. B., 62 vjeç” thotë policia. Policia bën me dije se ka identifikuar autorin e dyshuar dhe po punon për kapjen e tij.
Kush është viktima?
Haxhi Baçinozi, nga fshati Radostinë e Fierit mësohet se është ish i dënuar i regjimit komunist.
Lindi më 2 korrik të vitit 1957. Më 30 janar 1982, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë për «agjitacion e propagandë».
U dënua sërish më 3 qershor 1984, kësaj radhe me 21 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë për «veprën e terrorit në bashkëpunim» (dënim i kombinuar).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.