Gazeta Si – Një 48-vjeçar, i identifikuar si Lulzim Visha, i cili punonte si postier, u gjet i vrarë me armë zjarri në Zall Mner pranë Kamzës mëngjesin e kësaj të premteje.
Viktima ishte nisur për në punë në momentin kur ka ndodhur ngjarja dhe mësohet se ai është vrarë brenda automjetit të një poste private.
Pak orë pas ngjarjes, në Zall Herr u gjet një makinë e djegur, e cila dyshohet se është përdorur nga autori/ët e vrasjes së Lulzim Vishës.
Sipas burimeve paraprake, ekzistojnë dyshimet për një hasmëri të mundshme, pasi vëllai i tij, Besnik Visha, ka vrarë një person në vitin 1997.
Sipas asaj që raportohet nga burimet, Visha është vrarë 200 metra larg shtëpisë së tij në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner. Mësohet se Visha ishte baba i dy fëmijëve dhe ishte proceduar penalisht disa herë.
Dyshohet që 48-vjeçari të jetë nxjerrë në pritë. Nga dëshmitë paraprake që janë marrë në vendngjarje, banorët kanë thënë se nuk kanë dëgjuar të shtëna.
Kjo ka ngritur dyshimet se mund të jetë vrarë me silenciator. Në makinë janë gjetur mbi 12 gëzhoja pistolete.
Ekzekutimi me disa plumba i Lulzim Vishës në Tiranë, dyshohet se lidhet ngushtësisht me një vrasje të vjetër që vëllai i viktimës, Besnik Visha, ka kryer në vitin 1997.
Pikërisht në këtë kohë si pasojë e një konflikti banal, Besnik Visha, ekzekutoi me automatik në 10 prill, Refik Domin.
Për këtë krim të rëndë, u dënua në mungesë nga Gjykata e Tiranës me 12 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me dashje” dhe “Mbajtje pa lejë të armëve”. Por teksa qëndronte në arrati, Besnik Visha, sërish vijonte të mbante armë me vete.
Kjo u vërtetua dhe gjatë një aksioni të kryer nga forcat RENEA në 5 tetor 2008, ku teksa arrestuan të kërkuarin për vrasje, i kapën atij një armë zjarri automatike me 30 fishekë në karikator.
Gjatë marrjes në pyetje në atë kohë, Besnik Visha, ka pranuar se armën e kishte në posedim ai dhe e mbante për vetëmbrojtje, për shkak të konflikteve që kishin lindur me anëtarët e familjes së Refik Domit.
Për automatikun dhe 30 fishekët Besnik Vishës iu shtua dënimi edhe me 10 muaj burgim. Aktualisht ai është liruar nga burgu, duke u larguar më pas jashtë Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.