Portofol

Tiranë-Elbasan, sigurohet financimi, Gjiknuri: Rruga e Arbrit nis brenda muajit

Qeveria synon që të përfundojë brenda këtij mandati të gjitha akset kombëtare rrugore. Ambicia u njoftua nga ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri gjatë raportimit të punës për këtë gjashtëmujor para grupit parlamentar socialist.

Gjiknuri tha se aksi Qukës – Qafë-Plloç kërkon 50 milionë dollarë të tjera dhe fajësoi për këtë projektin e dobët, ndërsa premtoi përfundimin edhe të pjesës së Rrugës së Kombit, Kukës-Morinë, që tha se do të kërkojë 11 mln euro për këtë vit.

“Janë projekte jo të mira, me ura që kanë disnivele. Edhe në Kukës-Morinë u nis me rrugët dhe u lanë për në fund urat. Do ta përfundojmë atë segment me 11 mln euro. Këto janë kosto të projektetve të menaxhuara keq të së kaluar”, deklaroi ai.

Një tjetër aks problematik, afatet për përfundimin e të cilit janë vetë pa afate, është rruga Tiranë-Elbasan. Gjiknuri premtoi përmbylljen e këtij aksi brenda këtij viti, por që do të kërkojë 14 mln dollarë shtesë.

“Dje kemi marrë konfirmim për financimin shtesë për pjesën e mbetur të rrugës Tiranë-Elbasan. Pra janë 14 mln dollarë të tjera që do të hidhen për të përfunduar segmentin nga zona e Ibës në Tunelin e Elbasanit. Brenda këtij viti edhe ai aks përfundon plotësisht”, u shpreh ministri.

Sa i takon Rrugës së Arbrit, që do të ndërtohet sipas skemës partneritet publik-privat puna pritet që të nisë shumë shpejt.

“Kontrata ka hyrë në fuqi. Kompania ka siguruar financimin dhe besojmë se brenda një muaji hapet kantieri i punimeve. Para 3 ditësh ka dorëzuar projektin e detajuar”, u shpreh ministri.

Me financim nga buxheti Gjiknuri premtoi aksin Kardhiq-Delvinë dhe Unazën e Madhe në Tiranë, ndërsa tha se brenda këtij viti do të mbyllet puna për bypass-in e Fierit, ndërsa për atë të Vlorës tha se kërkohet më shumë kohë.

Si.

 

Më Shumë