Njerez

Tirana voton/ Qyteti mes kujtesës, rutinës dhe shpresës

Por Tirana vijon të mbetet e qetë. Liderët politikë kanë votuar, shumica prej tyre, dhe pozat e zakonshme para kamerave janë këtë herë disi më të rezervuara. Po ashtu dhe fjalët. Njerëzit, megjithatë, votojnë. Madje ndalen për t’u përshëndetur në hyrje të qendrave, duke shndërruar këtë ditë edhe në një moment afrimi komunitar, përtej politikës.

Nga Gazeta “SI” – Është data 11 maj, ditë zgjedhjesh. Qyteti është i qetë. Të paktën këtë përshtypje të jep, edhe pse ndodhemi përballë njërës prej ditëve më të rëndësishme në çdo cikël katërvjeçar.

Burra në moshë të mesme të veshur me kostume, apo gra me veshje që i ngjajnë një feste të vogël, rikujtojnë ende kohën kur dita e votimeve nuk ishte thjesht një detyrë shtetërore, por edhe një moment simbolik për mikrobotën familjare, e cila e kremtonte këtë ditë në mënyrën më të dukshme: në pamjen, në sjelljen dhe në përkushtimin.

Vetëm një ditë pas Giro d’Italia-s, Tirana frymon lirisht. Qyteti duket më i pastër, më i qetë. Në rrugë qarkullojnë pak makina dhe nëpër kafene shihen pak njerëz. Kodrat e liqenit reflektojnë atmosferën e një qyteti që e ka pezulluar lëvizjen për t’iu përkushtuar një rituali kolektiv: votimit. Disa vrapues të zakonshëm dhe qytetarë që shëtisin qentë janë ndoshta të vetmit që nuk e kanë ndryshuar rutinën.

Nga qendrat e votimit nisin të vijnë lajmet e para për parregullsi apo për çudira që tashmë janë bërë pjesë e folklorit elektoral shqiptar. Dikush harron si votohet. Një tjetër, në një qendër tjetër, voton për gjithë familjen. Një komisioner nervoz, diku tjetër, bllokon procesin duke përshkallëzuar deri në tone të tensionuara.

Por Tirana vijon të mbetet e qetë. Liderët politikë kanë votuar, shumica prej tyre, dhe pozat e zakonshme para kamerave janë këtë herë disi më të rezervuara. Po ashtu dhe fjalët. Njerëzit, megjithatë, votojnë. Madje ndalen për t’u përshëndetur në hyrje të qendrave, duke shndërruar këtë ditë edhe në një moment afrimi komunitar, përtej politikës.

Në Njësinë Nr. 5, procesi ecën me ritme të ngadalta. Nuk ka nxitim. Shumë qytetarë kërkojnë me durim emrin në lista, me një lloj përhumbjeje që nuk ka lidhje me përkushtimin. E megjithatë, ata votojnë , jo vetëm si detyrim demokratik, por edhe si një mënyrë për të pohuar ekzistencën e tyre.

Zërat e qytetit

Ermira, një qytetare që sapo ka votuar, e shoqëruar nga i biri, ende minoren, thotë për Gazeta Si se ka dalë nga shtëpia vetëm për këtë proces.

 “Sot kam dalë nga shtëpia vetëm për të votuar. Pra, do të thotë se procesi është: dil, voto dhe kthehu në shtëpi. Sepse kemi për të bërë detyrat,” thotë ajo me një të qeshur të qetë, ndërsa shikon të birin.

Kur pyetet se çfarë pret nga këto zgjedhje, ajo shton: “Duhet pritur dhe parë. Me rëndësi është që secili të votojë.”

Tefta, një pensioniste që ruan gjallërinë në tonin e saj, shpjegon planin e ditës.

“Pas votimit, do të dal për një kafe me bashkëshortin dhe pastaj do shkoj në shtëpi të gatuaj drekën.”

Ajo ka edhe një lutje të heshtur: “Ishalla, o Zot, të bëhet më mirë,” thotë ajo me duart e bashkuara në gjest lutjeje.

Alida, farmaciste , shprehet për Gazeta Si se beson në vazhdimësinë e punëve të mira:

“Nuk mund të themi se nuk janë bërë punë të mira në këto vite. Ne presim edhe më mirë të bëhet.” pohon ajo.

Por për të sot nuk ka pushim. Farmacia nuk e lejon të pushojë as në ditë si këto.

Kur flet politika, arti hesht

Jeta kulturore në kryeqytet duket sikur i është përshtatur kësaj të diele zgjedhore. Një heshtje respekti, apo një heshtje pragmatike? Teatri Kombëtar nuk ka asnjë shfaqje të planifikuar  edhe pse është fundjavë. Po ashtu edhe Teatri i Operas, që në mënyrë të pakuptueshme e ka mbyllur axhendën me aktivitetin e fundit: Giro d’Italia. I vetmi institucion që mban dyert hapur është Teatri i Metropolit, i cili në faqen e tij në Facebook njofton për shfaqjen “Një letër për stinët”, dedikuar fëmijëve. Fundja, edhe artistët janë zgjedhës.

Petrit Kumi, “Artist i merituar”, tashmë 95 vjeç, një nga veteranët e fotografisë shqiptare, i cili ka dokumentuar jetën kulturore dhe politike gjatë regjimit komunist, ngjt shkallët e qendrës së votimit 1816 në bllok,  i shoqëruar nga familjarët. Ai nuk ka munguar në votime prej 77 vitesh.

“Asnjëherë nuk kam munguar në votime. Mendoj se gjithë kjo fushatë, gjithë kjo zhurmë do dali për hajër.” thotë Kumi

Pas votimit, rutina për të mbetet e njëjtë.

“Prita deri tani të votoj dhe tani do të shkoj të fle gjumë. Ç’të bëjmë, edhe artistët plaken,” thotë duke qeshur.

Petrit Kumi

 E megjithatë nuk fsheh mallin për kohët e dikurshme, kur rrugët e Tiranës e njihnin si “fotografi i Enver Hoxhës”.

Midis rutinës, kujtesës dhe shpresës, dita e zgjedhjeve në Tiranë mbetet një ritual që i përket jo vetëm shtetit, por edhe jetës së përditshme. Sepse ndonjëherë, demokracia më shumë sesa në fjalime, manifestime apo mitingje, manifestohet në gjeste.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë