Gazeta Si – Në futboll duhet pak fat dhe Tirana e pati sot ndaj Teutës, në çerekfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Kryeqytetasit ishin thuajse të eliminuar, por ia dolën të barazonin në minutën e 7-të shtesë.
Kualifikimi u vendos nga penalltitë, pasi koha e rregullt dhe shtesat përfunduan në barazim 1-1, ndërsa ndeshja e parë kishte përfunduar 0-0. Peposhi kishte shënuar për durrsakët me penallti në pjesën e parë, Tirana barazoi në frymën e fundit me Liridon Latifin.

Në fund, lojtarët e Tiranës u treguan më të saktë, duke humbur një penallti me Jonuzin, kurse Teuta gaboi dy herë me kapitenin Kotobellin dhe Jazxhi.
Tirana bëhet kështu skuadra e tretë gjysmëfinaliste e Kupës së Shqipërisë, pas Egnatias dhe Kukësit që ishin kualifikuar një ditë më parë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Erbim Fagu ka më shumë shanse ta shpëtojë sezonin nga Kupa, ku tashmë mbeten vetëm 3 ndeshje, se nga kampionati, ku është jashtë 4-shes së parë aktualisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




