Rend dhe Ligj

Tirana në ‘shtetrrethim’ në 6 dhjetor për samitin e BE, masa të rrepta sigurie dhe rrugët që do të bllokohen

Gazeta Si – Tirana do të jetë si në “shtetrrethim” në datën 6 dhjetor (e martë) për samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet te “Pallati i Kongreseve”.

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi, në një konferencë për shtyp bëri publike të gjitha masat e marra nga Policia e Shtetit.

Jaupi tha se për masat, policia ka bashkëpunuar me ekspertë të sigurisë së Bashkimit Europian. Ai u shpreh se perimetri do të fillojë aktivizimin në datën 5 dhjetor në orën 14:00 deri në përfundimin e samitit dhe largimin e çdo lideri europian nga vendi ynë.

Përveç rrugëve hyrëse dhe dalëse në kryeqytet, do të bllokohen dhjetëra akse për efrekt sigurie. Brenda perimetrit të sigurisë do të lejohen vetëm qytetarët që kanë banesat e tyre.

Sipas drejtorit të Rendit dhe Sigurisë Publike Rebani Jaupi, do të vendosen punonjës policie që do të shoqërojnë qytetarët në banesat e tyre rreth këtij perimetri.

Jaupi ka sqaruar edhe se si do të veprohet me banorët që kanë shtëpitë në atë zonë si edhe për nxënësit e shkollës “Kosova” dhe Liceut Artistik.

“Çdo person duhet të ketë kartën e punës. Për liceun dhe shkolla Kosova, janë marrë masat për të mos penguar mësimin. Do ketë punonjës policie që do shoqërojnë në vendbanim qytetarët që do e kenë në shtëpi, dhe i njohin banorët e zonës që janë rezidentë. Do të vendosen gjatë këtij shërbimi do ketë shumë delegacione dhe shoqërime dhe janë marrë masa për mos pengimin e tyre”, tha Jaupi.

Pasi bëri publike masat për samitin e 6 dhjetorit, Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi, u pyet edhe për masat që janë marrë në lidhje me protestën që ka paralajmëruar PD në të njëjtën ditë.

Ai u shpreh se policia i ka kthyer përgjigje Partisë Demokratike ku ka adresuar kufizimet në lidhje me samitin.

Sipas Jaupit, pjesa tjetër e bulevardit, sheshi “Skënderbej” apo ambientet e tjera që mendohen për të zhvilluar tubimin, PD është në të drejtën e saj që të njoftojë se ku do të zhvillohet.

“Dua t’ju bëj me dije që policia ka kthyer një përgjigje drejtuesve që kanë bërë kërkesën në polici për të zhvilluar një miting. Përgjigja jonë është bërë tashmë publike dhe i kemi adresuar të gjitha kufizimet që Policia e Shtetit ka sa i përket këtij aktiviteti, pra samitit. Ndërsa pjesa tjetër e bulevardit, sheshi “Skënderbej”, apo çdo ambient tjetër që mendojnë për të zhvilluar tubimin është në të drejtën e tyre që ta bëjnë njoftimin dhe të na thonë se ku do të zhvillohet. Natyrisht që ne do të marrim masa dhe për mbarëvajtjen e atij tubimi, por pasi të kemi rënë dakord për vendin ku do të zhvillohet”, u shpreh Jaupi.

Ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe lëvizja e qytetarëve. Do të lejohet vetëm kalimi i qytetarëve banorë të këtyre zonave:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

Bulevardi “Bajram Curri”

Rruga “Dervish Hima”

Rruga “Asim Zeneli”

Rruga “Themistokli Germenji”

Rruga “Ismail Qemali”

Rruga Mustafa Matohiti”

Rruga “Jul Varibova”

Rruga “Fatmir Haxhiu”

Rruga “Lekë Dukagjini”

Rruga “Skerdilajd Llagami”

Rruga “Faik Konica”

Bllokohet autostrada nga Qafa e Kasharit deri në Tiranë.

E bllokuar Rinas – Qafë Kashar- Autostradë – Sauk.

Qytetarët do të përdorin rrugë alternative për të hyrë e dalë nga Tirana.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë