Njerez

‘Tirana ka banorë por nuk prodhon qytetarë…’, studiuesi Ardian Ndreca sqaron pas 4 vitesh deklaratën polemizuese

Nga Gazeta Si – “Tirana ka banorë por nuk prodhon qytetarë. Nuk është hapësirë qytetare një vend që prodhon vetëm beton, dhe betoni nuk krijon qytetarë. Qytetërimi krijohet me ide dhe njerëz”. Ishte kjo deklarata e studiuesit Ardian Ndreca para disa vitesh, një deklaratë që nxiti jo pak debat në vend.

podcastin më të ri në Gazetasi.al, “T’pa thana” me Liridon Mulaj, studiuesi Ndreca sqaron pas 4 vitesh domethënien e kësaj deklarate dhe e shpjegon më gjerë pse mendon se kryeqyteti nuk prodhon qytetarë.

“Është vesi për të dekontektualizuar ato që thuhen. Unë kam qene pjesë e një diskutimi ku thuhej se ka ankesa për një pjesë të banorëve të ardhur të Tiranës që nuk kanë tipare qytetare, nuk kanë tipare urbane. Ajo që thoja unë atëherë dhe jam i atij mendimi edhe sot është se nëse një person i përket qytetit për 20 vite dhe nuk konsiderohet qytetar, atëherë problem është tek qyteti që nuk arrin të transformojë qytetarin”, thotë Ndreca, i cili merr si shembull Amerikën, duke thënë se nëse për 5 vite shkon në Amerikë dhe transformohesh, pse nuk ndodh e njëjta gjë edhe me Tiranën?!

“Nëse Amerika ka këtë forcë transformuese, pse nuk e ka Tirana. Është transformim shpirtëror, civil, kulturor. Pra të ruan tiparet por të bën diçka që nuk ke qenë më parë dhe në Tiranë kjo gjë nuk ndodh. Në këtë rast, duhet parë se diku ka një problem”, thotë Ndreca, i cili më së shumti këtë problematikë e lidh me urbanistikën dhe betonizimin që i bëhet një qyteti.

Ndreca tha në podcast se problemi i Tiranës është se nuk është një qytet i plotë.

“Qytetet tona vuajnë nga fakti se janë qytet vetëm në qendra dhe jo në periferi. Nëse dikush është në periferi dhe do të ndjehet qytetar, duhet të spostohet dhe të shkojë në qendër”, sqaroi Ndreca.

A ka të bëjë kjo me faktin se studiuesi jeton në Romë?

“Unë nuk pretendoj që prespektiva ime të jetë e drejtë dhe universale. Mendoj se ka vërtetësi. Mund të diskutohet si çdo opinion tjetër. Roma është qyteti i qyteteve por nga ana tjetër, asgjë nuk mund ta ndalojë Tiranën të përmirësojë asetet që ka”, thotë Ndreca, duke shtuar se nuk ka gjë që i ndalon personat që jetojnë në Tiranë që të bëhen qytetarë dhe mbi të gjitha, në një kohë të shkurtër të ndjehen qytetarë të Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë