Futboll

Tirana i jep një shuplakë të fortë Egnatias kryesuese, një asist edhe për Partizanin

Gazeta Si – Fitore e thellë e Tiranës në fushën e Rrogozhinës. Përtej parashikimeve, skuadra kryeqytetase ka fituar me një rezultat që as vetë nuk e kishte menduar para ndeshjes, 0-5.

Rimal Haxhiu e kaloi Tiranën në avantazh në pjesën e parë. Në të dytën , kur pritej një reagim i Egnatias, ajo u shkërmoq dhe pësoi edhe 4 gola të tjerë. Vendimtar ishte ndëshkimi me karton të kuq i Aleksit, pas një faulli të rëndë në dëm të Latifit.

Pas këtij momenti bardheblutë e thelluan rezultatin me golat e Latifit (dopietë), Haxhiut (dopietë) dhe Abazajt. Tirana tani ndan vendin e 3-të me Vllazninë, me nga 26 pikë secila.

Për Tiranën ishte një fitore shumë e rëndësishme, që vjen pas disa rezultatesh jo të mira. Egnatia në anën tjetër pëson këtë humbje tronditëse, që i jep mundësi Partizanit të afrohet në 2 pikë, nëse mund Erzenin. Vetëm pak ditë më parë Egnatia humbi edhe finalen e Superkupës së Shqipërisë ndaj Partizanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë