Bashkia e Tiranës thotë se këtë të mërkurë janë hapur 90 për qind e çerdheve dhe kopshteve publike në Tiranë.
“Është një mesazh shumë i rëndësishëm për të treguar se jeta vazhdon, se Tirana është e vendosur t’i kthehet normalitetit. Kthimi i normalitetit nuk do të thotë të harrojmë çfarë ndodhi; përkundrazi, jemi më të përkushtuar për rindërtimin, për rehabilitimin e familjeve të prekura, jemi më të përkushtuar që ky dimër të zërë sa më shumë familje në kushte të mira pas tragjedisë, por siç e ka emrin edhe ky kopësht, kopshti “Cicërimat”, nëse nuk kemi cicërimat që sinjalizojnë se i jemi kthyer normalitetit, nuk kemi bërë asgjë”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, që u ndal në dy kopshte në njësinë nr.5.
Për çerdhet dhe kopshtet që vijojnë të mbeten të mbyllura, Bashkia thotë se javën tjetër do të rinisin aktivitetin. Sa u takon shkollave, Bashkia e Tiranës përsërit se ato që kanë pësuar dëme të mëdha do të shkatërrohen, si në rastin e dy shkollave në Pezë dhe Pezë e Vogël.
Sipas Ministrisë së Arsimit në Tiranë bëhet fjalë për 8 shkolla të dëmtuara nga tërmeti, dy nga të cilat, “Sami Frashëri” dhe “Emin Duraku” me dëmtime më të rënda. Që të dyja këto shkolla nuk do të hapen ditën e enjte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.