Nga Liridon Mulaj- “Akti i qëndrimit” në Mesdhe simbolizon rezistencën kulturore dhe shpirtërore të njerëzve dhe qytetërimeve.
Kjo është tema thelbësore e edicionit të 11-të të festivalit ndërkombëtar të letërsisë Tirana Gate, që organizohet në Tiranë më datat 8-9-10 Tetor.
Përpjekjet për ruajtjen e identitetit përballë ndikimeve të huaja, si dhe përpjekja e njeriut për të mos u zhdukur në harresë, por për t’u rindërtuar përmes artit, gjuhës, mitit dhe kujtesës kolektive, përbëjnë thelbin e këtij edicioni. Është një vendim për të qenë pjesë e historisë dhe për të ruajtur lidhjen me të tjerët.
Ballkani që bashkohet përmes letërsisë dhe që bëhet pikëtakim i shkrimtarëve, të cilët në thelb kanë lirinë dhe këtë liri mundohen ta vënë në shërbim të së mirës së përbashkët kolektive, jo duke qëndruar brenda kufijve ballkanikë, por edhe më gjerë, atje ku ka mungesë lirie, por edhe më ekstremisht, atje ku lufta po vret mijëra njerëz, në Palestinë.

Milena Selimi: Festivali bëhet zë i të pamundurve
Drejtorja artistike e festivalit, Milena Selimi, thotë për Gazetasi.al se me një seksion të veçantë dedikuar Palestinës, festivali letrar Tirana Gate i bën homazh viktimave të gjenocidit izraelit, duke u përpjekur të bëhet zë i të pamundurve.
“Jam shumë e nderuar që edhe këtë vit kemi një seksion për autorët që janë duke përjetuar gjenocid dhe që nuk kanë zë, pra zëri i tyre është shuar. Këtë vit po e bëjmë me palestinezët, ashtu siç e kemi bërë edhe me ukrainasit para dy vitesh. Më kujtohet autori Andre Ljupko, i cili vinte nga zonat e luftës; për ne ishte diçka e jashtëzakonshme mënyra si ai kapërceu kufijtë dhe erdhi në një festival shqiptar.”

Por ajo shton me keqardhje se disa nga shkrimtarët pjesëmarrës ishin kundër këtij seksioni, duke mos pranuar të lexonin. Ajo thekson se, edhe pse jetojmë në një shtet i cili ka mendime dhe qasje të kundërta me festivalin, seksioni është krejtësisht i pavarur dhe përfaqëson vetëm festivalin.
“Më vjen keq të them se disa nga pjesëmarrësit nuk ishin dakord të lexonin në seksionin e dedikuar Palestinës, por është në rregull , mendimi i tyre. Mendoj se secili, nëpërmjet punës së tij, mund të ngrejë zërin për një çështje të rëndësishme siç është Palestina. Mos të harrojmë se janë 153 artistë të vrarë nga sulmet izraelite. Ne jetojmë në një shtet i cili ka qëndrime krejt të kundërta për sa i përket Palestinës, prandaj edhe e kemi quajtur këtë seksion të pavarur, që përfaqëson vetëm festivalin, duke u solidarizuar me zëra që janë të pafuqishëm.”
Ajo shton për Gazetasi.al se shkrimtarët e ftuar janë individë me qasje autentike ndaj çështjeve të ndryshme dhe që bashkohen pavarësisht temave të caktuara.

“Tirana kthehet në një pikëtakimi. Ka shumë autorë shqiptarë që krijojnë njohje përmes festivalit tonë dhe më pas shkojnë në festivale të tjera në Berlin apo qytete të tjera europiane. Më pëlqen që tranzitin e tyre e kanë nga Tirana. Kemi pasur autorë që kanë pasur agjenda të ngarkuara dhe e kanë bërë Tirana Gate pjesë të tyre.”
Ky është një festival i letërsisë. Është interesante që në mënyrë krejt intuitive janë bërë bashkë jo nga temat, por nga mendimet e tyre. Ne kemi hulumtuar jo vetëm për qasjen letrare të autorëve, por edhe për atë çfarë mendojnë ata në përgjithësi për tema të caktuara. Pra, kemi zgjedhur që diskutimi në panele të nisë nga letërsia dhe të shkojë pak më tej në mendimet e tyre dhe në zërin e tyre”
Në fund, Selimi ka edhe një thirrje për institucionet dhe botuesit shqiptarë që të jenë më mbështetës, por edhe më vigjilentë ndaj ngjarjeve të tilla kulturore.
“Ky festival ia ka dalë ta ruajë gjuhën me shumë vështirësi. Përkthyesit kanë marrë një rol të tyre që është i merituar. Më vjen keq që nuk ka mbështetje për përkthyesit. Duhet vëmendje nga katedrat, institucionet dhe shumë faktorë të tjerë. Jemi përpjekur që autorët pjesëmarrës në festival të parashikohen dhe pse jo, të kemi edhe librat e tyre në shqip, edhe pse botuesit shqiptarë të pranishëm në festival janë të paktë, për të mos thënë që nuk vijnë fare.”

Irena Toçi: “Festivalet letrare nuk mund të organizohen nga institucionet shtetërore, për vetë sensin e lirisë”
Drejtoresha e festivalit, Irena Toçi, thotë për Gazetasi.al se ky festival bashkon gjuhë dhe identitete të ndryshme, duke na bërë të kuptojmë se nuk jemi vetëm.
“Ky është edicioni i 11-të i festivalit, ndërsa i pesti me format ndërkombëtar. Sfidat e një festivali janë nga më të ndryshmet; sfida kryesore është kapërcimi i kufijve tanë dhe përfshirja në festival e shkrimtarëve nga vende të tjera. Kishim shumë pengesa, një ndër to ishte gjuha, pra si do të merreshin vesh me njëri-tjetrin. Kështu vendosëm që secili shkrimtar pjesëmarrës të lexojë në gjuhën e tij, ku kjo dëgjese shërben edhe për të thënë se në këtë botë nuk jemi vetëm, pra jemi së bashku. Kjo vlen edhe për të njohur kulturat e tjera. Përkthyesit veçanërisht janë pika kyçe e këtij festivali. Secili luan një rol thelbësor për të përcjellë mesazhin e autorëve nga njëra gjuhë në tjetrën.”

Ajo thekson se shkrimtarët serbë të pranishëm në festival kanë qenë ambasadorët më të mirë të vendit tonë, duke shembur në një farë mënyre ndasitë e krijuara ndër vite.
“Unë mendoj se ky festival ka miqësuar shkrimtarët e huaj me ata shqiptarë, duke krijuar lidhje të ngushta. Përveç kësaj, ata janë ambasadorë të kulturës sonë kudo që shkojnë, duke marrë me vete më të mirën e Shqipërisë. Na ka ndodhur shpesh që autorët serbë që kemi ftuar kanë ardhur nga shumë vende të tjera ku jetojnë, duke u bërë përcjellës të kulturës sonë. Ky festival e bën Tiranën një qytet që pulson kulturë.”
Toçi vë në dukje edhe një fenomen që sipas saj nuk është i natyrshëm, organizimin e eventeve letrare nga institucionet shtetërore, ku mungesa e lirisë është e pashmangshme.
“Tek ne është krijuar tendenca që vetë institucionet të organizojnë evente të kësaj natyre. Kjo më duket e panatyrshme që të marrin ata nismën për të bërë këto lloj aktivitetesh, sepse vetë shkrimtarët dhe të ftuarit kërkojnë njëfarë lirie. Vetë institucioni, duke qenë shtetëror, ka një lloj autocensure. Shkrimtarët janë individualitete shumë të forta dhe secili prej tyre është i angazhuar në mënyrën e tij. Festivalet, duke mos qenë pjesë e pushtetit, duhet të kenë lirinë e duhur për të thënë atë që mendojnë.” – mbyll për Gazetasi.al, drejtoresha e festivalit Irena Toçi.

Alban Bala, Ylljet Alicka, Enkel Demi, Rita Petro, Kallia Papadaki nga Greqia, Sara Stridsber nga Suedia, Maša Seničić dhe Miroslav Ćurčić nga Serbia, si edhe Necip Tosun nga Turqia, janë vetëm disa nga emrat e shkrimtarëve që do të diskutojnë, lexojnë dhe ndajnë mendime me njëri-tjetrin në festivalin më të rëndësishëm letrar në vend, Tirana Gate.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



