Ekspozite

‘Tirana Art Weekend’/ Kryeqyteti shndërrohet në një skenë arti me 33 ekspozita dhe mbi 50 artistë

Nga Gazeta “SI”- Tirana Art Weekend 2025 (TAWE) pritet ta shndërrojë Tiranën në një qendër të artit pamor me një program të gjerë ekspozitash dhe aktivitetesh që do të shtrihen nga 27 deri më 30 nëntor në kryeqytet.

Edicioni i dytë i këtij eventi vjetor synon të pasqyrojë gjallërinë e skenës bashkëkohore të arteve pamore në Shqipëri, duke përfshirë këtë vit edhe institucione e artistë nga Kosova.

Me 33 ekspozita dhe aktivitete të shpërndara në hapësira të ndryshme të Tiranës, TAWE 2025 synon të forcojë bashkëpunimin mes aktorëve të skenës artistike vendase dhe të promovojë prodhimin krijues bashkëkohor. Edicioni i këtij viti zhvillohet mbi bazën e një tradite të re të nisur në vitin 2024, me misionin për të krijuar një platformë të qëndrueshme dialogu dhe prezantimi artistik.

Drejtori i Rrjetit Shqiptar të Arteve Pamore (AVAN), Elian Stefa, thekson se këmbëngulja është fryma që udhëheq këtë edicion.

“Jemi sërish këtu duke këmbëngulur që narrativa e artit bashkëkohor shqiptar të shkruhet sipas kushteve të veta dhe të ndahet me botën. Në një botë ndasish, solidariteti brenda komunitetit tonë artistik është fuqia jonë më e madhe”, u shpreh ai.

Veprimtaritë qendrore të TAWE do të zhvillohen në selinë e Institutit të Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë, në një vilë të restauruar të shekullit XX, e cila për këtë edicion do të shërbejë si hapësirë pritëse për iniciativa pa adresë të përhershme ose ato që veprojnë jashtë Tiranës. Paralelisht, galeri e hapësira të ndryshme të qytetit do të presin hapjet e ekspozitave gjatë fundjavës.

Në program marrin pjesë institucione dhe kolektive të rëndësishme të artit bashkëkohor, mes tyre: Albanian Cinematheque, Art House, Art Kontakt, Bazament Art Space, Destil Creative Hub, Ekrani i Artit, Minus Art Space, Pararoja, Satellite Zone, Tirana Art Lab, dhe shumë të tjera. Programi satelit do të shtrihet në hapësira si Agimi Art Center, Galeria Artit Tiranë, Galeria FAB, Space05, Vila 31, Art Explora dhe 18 Stories.

Listës së gjerë të artistëve pjesëmarrës i bashkohen emra të njohur dhe perspektivë të artit shqiptar dhe rajonal, ndërsa për këtë edicion është përgatitur edhe një platformë e re kuratoriale nga kuratori Arnold Braho.

TAWE 2025 shënon gjithashtu nisjen e bashkëpunimit vjetor AVAN x GKA: Komisionim Artisti, përmes të cilit çdo vit Galeria Kombëtare e Arteve do të pasurohet me një vepër të re. Këtë vit prezantohet krijimi i artistit Gentian Shkurti.I themeluar në Vlorë gjatë Vlora Art Meeting në vitin 2024, AVAN është një koalicion entitetesh të arteve pamore të angazhuara në promovimin e dialogut kritik, transparencës dhe zhvillimit të një skene të qëndrueshme artistike.

Tirana Art Weekend është një platformë vjetore e organizuar nga Albanian Visual Arts Network (AVAN), që synon të ndërthurë institucionet, hapësirat e pavarura dhe kolektivët artistikë në Shqipëri. Edicioni i parë u zhvillua në vitin 2024


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë