Si sot 92 vjet më parë, më 17 dhjetor të vitit 1932 lindi në Sarajevë, ajo e cila më vonë do të ishte “ zoja e randë” kinematografisë dhe teatrit shqiptar Tinka Kurti. Edhe pse karriera e saj nisi në Teatrin Migjeni të Shkodrës , ku dhe doli në pension, Sarajeva do të mbetej qyteti i ëndrrave të fshehta, ku do të kthehej shpesh përmes kujtimeve të rrëfimeve të dëgjuara e kujtesës, për tu kthyer fizikisht në këtë qytet kur ishte 65 vjeç. Pas tre muajsh shkollë në liceun e dramës , ajo do të përjashtohej për shfaqje të huaj. Diplomën e aktrimit nuk e mori kurrë por kjo nuk e pengoi të kthehej në legjendën e teatrit dhe filmit shqiptar.
Roli i saj i parë “ Tana” bazuar mbi veprën me të njëjtit titull të Fatmir Gjatës, i solli asaj njohjen e madhe në rrethet kinematografike por dhe ekspozoi atë ndaj syrit kritik të pushtetit. Ky rol do të pasohej nga 60 role të tjera në filma dhe nga 120 role në teatër. Vlejnë të përmenden rolet protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Toka Jonë” “Fisheku në pajë” “Fejesa” e Çehovit , “Çifti i lumtur”, “Yjet e netëve të gjata”, “Në fillim të verës”, “Gjeneral gramafoni”, “Qortimet e vjeshtës”, “Hije që mbeten pas”, “Telefoni i një mëngjesi”, “Balada e Kurbinit”, “Zemra e nënës”, etj.,
Do të ishin këto role që do i sillnin asaj dhe çmimet e shumta në festivalet teatrore dhe ato kinematografike por edhe nderimet shtetërore si medalja “ Mjeshtër i madh” akorduar nga Presidenti i republikës.
Tinka Kurti do të mbetet aktorja e parë që ka realizuar puthjen në një skenë filmi përkrah aktorit Naim Frashëri. “Është e vërtetë dhe kjo më bën krenare. Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla që tashmë janë të zakonshme- tregon aktorja.
Tinka Kurti e cila mban dhe titullin “ Artist popullit” thotë se - Nuk e kam frikë plakjen e as vdekjen, por kam frikë nga plakja e trurit dhe në qoftë se ky moment vjen në jetën time,mendoj se do të isha dy herë e vdekur. Për këtë arsye dua të vazhdoj të punoj"
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.