Interviste

Timothy Garton Ash: Ne evropianët u bëmë dembelë dhe mendjemëdhenj

Nga Gazeta ‘Si’-Nëse Tony Judt shkroi pas Luftës së Dytë Botërore manualin e famshëm mbi historinë evropiane pas epokës naziste, duket se stafetën e ka marrë Timothy Garton Ash. Gazetari dhe historiani i lindur në Londër në vitin 1955, ka botuar këtë vit “Vendlindjet:Një histori personale e Evropës”, një libër i jashtëzakonshëm që ofron një shpjegim të thelluar mbi zhvillimet në kontinent, sidomos të epokës që nisin pas rënies së Murit të Berlinit deri në vitin 2022.

Sipas lojës së tij me fjalë, nëse e para ishte epoka e pasluftës, kjo e dyta është bërë periudha pas rrëzimit të Murit. Në lidhje me atë që do të ndodhë më pas, ne nuk kemi topin e kristaltë, por dimë disa gjëra.

Babai juaj luftoi në Normandi kundër gjermanëve, dhe në libër ju tregoni historinë se si u takuat me djalin e një ushtari armik, dhe se si brezi i ardhshëm u bë aleat. A mendoni që ne evropianët dimë gjithmonë se si ta vendosim veten në vendin e tjetrit?

Kjo është ajo që përpiqemi ta bëjmë gjatë gjithë kohës, por mendoj se duhet të përmirësohemi. Aktualisht miliona evropianë ndihen si unë. Por nëse shihni krizën e eurozonës, luftën në Ukrainë apo krizën e refugjatëve, kjo ndjeshmëri nuk shkon aq larg sa duhet.

Ju e përkufizoni epokën mbi të cilën shkruani në librin tuaj, nga viti 2008 deri në fillimin e luftës në shkallë të plotë në Ukrainë, si epoka e ‘pas-murit”…

Kjo periudhë nis me rrëzimin e Murit të Berlinit dhe përfundon me pushtimin e plotë të Ukrainës vitin e kaluar. Dhe ashtu si në një lojë futbolli, edhe kjo është një lojë me dy pjesë:kemi pjesën e parë në vitet 1989-2008, ku kemi një progres të paprecedentë në përhapjen e lirisë dhe demokracisë, me zgjerimin e jashtëzakonshëm të Bashkimit Evropian në vende të reja të lira që nuk ekzistonin më parë në hartë.

Dhe nga viti 2008 e në vazhdim, kemi kthesën në rënie, krizat e njëpasnjëshme:me shpërthimin e krizës globale financiare, sulmin e Putinit ndaj Gjeorgjisë, krizën e eurozonës, erozionin e demokracisë në Hungari, krizën e refugjatëve, aneksimin e Krimesë, Brexit, Covid-19, zgjedhjen president të Donald Trump dhe kështu me radhë deri në shkurtin e vitit 2022.

Dhe nëse po pyesni pse? Gjysma e përgjigjes është arroganca. Ne thjesht u bëmë të vetëkënaqur, dembelë dhe mendjemëdhenj. Besuam se siç kishin shkuar gjërat mirë prej vitesh, ashtu do të vazhdonin. Pra e ngatërruam historinë me një “h” të vogël, historinë siç ndodh realisht, me historinë me një “H” të madhe, si një proces hegelian i përparimit të pashmangshëm drejt lirisë. Por unë nuk mendoj që ne ishim kaq të vetëkënaqur apo mendjemëdhenj në fillim të viteve 1990.

A ka mbetur ndonjë shpresë?

Në Madrid në portat e Parkut Retiro, pashë dje një poster me foton e Stefan Cvajg, dhe të gjithë i referohen librit të tij “Bota e djeshme”. Kur ai shkruante, Evropa ishte në luftë, vendi i tij ishte i pushtuar, populli po shkatërrohej, gjithçka ishte në gërmadha, dhe ai u dëshpërua aq shumë derisa një ditë kreu vetëvrasje. Pozicioni im është shumë i ndryshëm.

Sot pjesa më e madhe e Evropës është ende relativisht e lirë, shumica e vendeve të BE-së përbëhet ende nga demokraci. Dhe tani kemi një mobilizim të madh për të mbrojtur Evropën më të mirë që kemi pasur ndonjëherë, në vend se të dëshpërohemi për gjithçka që kemi humbur.

Deri në çfarë mase e kërcënon Vladimir Putin mënyrën tonë të jetesës?

Rreziku nuk vjen vetëm për shkak të luftës në Ukrainë. Në një sondazh në nivel global, që kemi kryer ne në Oxford Research Projects, kemi zbuluar se një numër alarmant njerëzish jashtë Evropës, besojnë se BE-ja ka gjasa të shpërbëhet brenda 20 viteve të ardhshme. Ekziston një lidhje e fortë midis atyre që besojnë se BE-ja do të shpërbëhet (për shembull 67 për qind në Kinë), dhe atyre që besojnë se Rusia ka ende gjasa ta fitojë luftën në Ukrainë. Pra në rrezik është jo vetëm fati i Ukrainës por edhe besueshmëria e BE-së.

Demokracitë po pakësohen, ndaj po dobësohet roli i Evropës në botë. A jeni dakord me këtë konstatim dhe pse po ndodh kjo gjë?

Evropa ka ende një fuqi të butë të jashtëzakonshme. Nëse e pyesni dikë se ku dëshiron të jetojë, përveç vendit të tij, njerëzit gati kudo do të thonë në Evropë apo SHBA. Askush nuk dëshiron të shkojë të jetojë në Kinë apo Rusi. Atyre u pëlqen mënyra jonë e jetesës, vlerat tona.

Ajo që na mungon ne evropianëve është fuqia e fortë. Prandaj sfida jonë është të zhvillojmë fuqinë tonë ushtarake, deri në masën që ajo të përputhet me fuqinë tonë të butë. Sot jemi në një periudhë të re emrin e së cilës nuk e dimë, dhe gjithçka ka të bëjë me mënyrën se si i përballojmë sfidat që na vijnë nga jashtë.

Qoftë nga Rusia, Kina, Turqia, Afrika, ndryshimet klimatike, migrimi, perspektiva e rizgjedhjes së Donald Trump president. Pjesa më e madhe e së ardhmes së Evropës nuk varet më nga ajo që po bëjmë brenda kontinentit tonë, që është historia e 50 viteve të fundit, por nga ajo që bëjmë në pjesën tjetër të botës.

Po lidershipi? Ju përshkruani në libër takimet tuaja me liderë si Gorbachev, Kohl… A ishin vërtetë ata udhëheqës të mëdhenj, apo i kemi idealizuar ne?

Nëse lexoni historinë e Evropës në 50 vitet e fundit, nuk mund të mendoni se individët nuk kanë rëndësi. Ata kanë vërtet rëndësi në histori. Historia e Republikës Çeke do të ishte shumë ndryshe sot pa Václav Havelin. Ribashkimi i Gjermanisë nuk do të kishte ndodhur në mënyrë paqësore dhe shpejt pa Mikhail Gorbachev, Helmut Kohl dhe George HW Bush.

Ankesa se sot nuk kemi më udhëheqës të mëdhenj, dëgjohet shpesh nga ish-udhëheqësit, që priren të besojnë se gjërat ishin më mirë në kohën e tyre. Por për shembull Mario Draghi ka treguar një lidership të rëndësishëm. Kaja Kallas e Estonisë, ka qenë një lidere mbresëlënëse për një vend shumë të vogël, pikërisht në vijën e frontit me Rusinë.

Ursula Von der Leyen ka bërë një punë mjaft të mirë. Pra, unë nuk mendoj se situata është kaq e rëndë. Ajo që do të veçoja është mungesa e lidershipit strategjik nga fuqia qendrore e Evropës, Gjermania. Emmanuel Macron i Francës ka një vizion strategjik, por ai nuk ka fuqinë për ta realizuar atë. Ndërsa Gjermania ka fuqinë, por jo vizionin strategjik.

A do ta shohim një ditë Ukrainën brenda Bashkimit Evropian?

Po, ka qenë një moment transformues për vendin e Ukrainës në histori. Është një nga

ato momente që ndodhin një herë në shekull, ku jo vetëm ndryshon një vend, por edhe perceptimet e të gjithë botës për të. Ukraina do të hyjë në BE në një mënyrë shumë të ndryshme nga vendet e tjera, hap pas hapi dhe gradualisht dhe sipas sektorëve. Do të jetë një lloj i ri anëtarësimi.

A do të ketë një anulim të Brexit? Do të rikthehet në BE Britania e Madhe?

Ne e kemi kaluar tashmë kulmin e Brexit-it, dhe qeveria e Rishi Sunak po ndërmerr hapa të vegjël për t’u afruar me BE-në. Në fakt, kthimi i Cameron në kabinet është një shenjë e kësaj trajektoreje, diçka e paimagjinueshme deri 1 apo 2 vjet më parë.

Nëse nuk ndodh diçka e jashtëzakonshme, kryeministri i ardhshëm do të jetë laburisti Keir Starmer. Ai do të ndërmarrë më shumë hapa për t’u rikthyer më pranë BE-së. Nëse BE-ja do të ecë mirë, çështja e ri-hyrjes në union do të kthehet në axhendën e politikës britanike në fund të kësaj dekade ose në fillim të dekadës së ardhshme. Ndoshta do të flasim për rikthimin në bashkimin doganor apo tregun e përbashkët. Kjo do të varet nga ju.

Marrë me shkurtime nga El Pais/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë