Art dhe Kulture

Timo Flloko bën bashkë poezinë dhe muzikën me artistët më të mirë në Butrint, interpreton dhe e bija

Nga Gazeta Si - Në Butrintin historik u mblodhën dhjetëra personazhe të njohur të botës së artit për të dhuruar dhe për të ndarë së bashku emocione nga mbrëmja “Yjet në Butrint”, organizuar nga Timo Flloko dhe Vera Grabocka.

Mbrëmja ku si kryefjalë kishte poezinë e mirë, interpretimin nga aktorë të ndryshëm dhe muzikën duket se ishte një mbrëmje e mbushur me emocione, magji dhe mbi të gjitha shumë dashuri që erdhi në versione të ndryshme.

“Në Butrint nuk kishin shndritur më shumë yje. Nën regjinë e Vera Grabocka u ngjitën në skenën antike emra të mëdhenj të muzikës e dramës. Një spektakël emocionues që kishte emërues të përbashkët: Timo Flloko”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ishte e pranishme në mbrëmjen që Timo Flloko kishte zgjedhur ta pagëzonte “Yjet mblidhen në Butrint”.

Shumë artistë të pranishëm ngritën në piedestalet më të larta poezitë e Timo Fllokos për jetën e dashurinë.

Mbrëmjes iu drejtua edhe tenori, i cili ngriti në këmbë teatrot më me emër në botë, Saimir Pirgu dhe sopranoja virtuoze, Nino Machaidze.

“Yjet ndriçuan Amfiteatrin e Butrintit me magjinë e tyre! Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror ‘KultArt’ 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku!”, shkruan Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ku Orkestra Simfonike e këtij institucioni, dirigjuar nga maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli shoqëroi poezitë e artistit Timo Flloko.

Linda Flloko, vajza e Timo Fllokos dhe Vera Grabockës, ndonëse gjithnjë ka zgjedhur të rrijë larg vëmendjes mediatike dhe ekranit, nuk ka munguar në qytetin antik të Butrintit, në një natë magjike dedikuar të atit.

Linda mori rolin e të atit dhe surprizoi të gjithë të pranishmit në Butrint. Ajo interpretoi disa vargje nga poezia “Zogjtë”.

Timo Flloko dhe e bija

Në këtë pasuri botërore i dhuruan publikut magjinë e interpretimit dy breza të aktrimit si Luiza Xhuvani, Ema Andrea, Nik Xhelilaj e Kristian Koroveshi.

Kësaj nate gala i shtuan atmosferën edhe yjet e muzikës së lehtë si Pirro Çako, Ledina Çelo, Arilena Ara, Soni Malaj, Rovena Dilo, Marsela Çibukaj.

Ky aktivitet ishte një nga stacionet e para të sezonit veror “KultArt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë