Bota

TikTok mbyllet në SHBA! Mesazhi për përdoruesit dhe shpresat e rikthimit pas betimit të Trumpit

Gazeta Si – Aplikacioni i njohur me pronësi kineze, TikTok ka dalë jashtë funksionimit në SHBA, disa orë përpara se të hynte në fuqi një ligj i ri që ndalonte platformën.

Një mesazh që shfaqej në aplikacion për përdoruesit amerikanë thoshte se ishte miratuar një ligj që ndalonte TikTok, që do të thotë “nuk mund të përdorni TikTok tani për tani”.

“Ne jemi me fat që Presidenti Trump ka treguar se ai do të punojë me ne për një zgjidhje për të rivendosur TikTok sapo të marrë detyrën”, – thuhej më tej në mesazhin drejtuar përdoruesve.

Ky ndalim vjen pasi platforma e mediave sociale paralajmëroi se do të ndërpriste shërbimet të dielën nëse administrata në largim Biden nuk jep garanci se ndalimi nuk do të zbatohet.

“Zgjatja 90-ditore është diçka që ka shumë të ngjarë të bëhet, sepse është e përshtatshme”, tha Trump për NBC News të shtunën.

“Nëse vendos ta bëj këtë, ndoshta do ta shpall të hënën”, u shpreh ai. Shtëpia e Bardhë tha se i takon administratës së ardhshme të ndërmarrë veprime.

“Ne nuk shohim asnjë arsye që TikTok ose kompanitë e tjera të ndërmarrin veprime në ditët e ardhshme përpara se administrata Trump të marrë detyrën të hënën”, – deklaroi në një deklaratë sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre.

Ndërkohë përdoruesit raportuan se aplikacioni është lëvizur nga dyqanet online të aplikacioneve të Apple dhe Google në SHBA si dhe TikTok.com nuk shfaqte më video.

Gjykata Supreme la në fuqi të premte ligjin që u kalua në Prill të vitit të kaluar që ndalonte TikTok-un në SHBA nëse kompania mëmë e aplikacionit e bazuar në Kinë, “ByteDance”, nuk e shiste platformën deri të dielën, diçka që nuk ndodhi.

Nga ana tjetër TikTok argumentoi se ligji dhunon lirinë e shprehjes për 170 milionë përdoruesit e saj në Amerikë. Nuk janë të paktë ata që do të ndikohen nga ky vendim, pjesa më e madhe për arsye financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë