Futboll

Tifozët pushtojnë fushën në Kukës dhe ndërpresin ndeshjen, policia boshatis stadiumin

Gazeta Si – Tifozët e Kukësit kanë hyrë në fushë sot gjatë ndeshjes me Erzenin në kampionat, duke shkaktuar ndërprerjen e saj. Ishte mesi i pjesës së dytë, kur Erzeni përmbysi gjithçka për 4 minuta nga 1-0 në 1-2. Kaq mjaftoi që zemërimi i tifozëve kuksianë të shpërthente.

Shumë tifozë u futën në fushë, duke tentuar të sulmojnë arbitrat, që u morën në mbrojtje nga policia, ndërsa lojtarët e ekipit mik u futën në dhomat e zhveshjes. Për 15minuta ndeshja u ndërpre, ndërsa zyrtarët e FSHF-së kërkuan boshatisjen e stadiumit që loja të rifillonte.

Kështu ndodhi dhe më pas u luajt pjesa e mbetur e ndeshjes, që përfundoi me fitoren 1-2 të Erzenit. Përveç humbjes dhe vendit të fundit në renditje, Kukësi tani do të përballet edhe me masat e Komisionit të Disiplinës, që pritet të jenë të ashpra. Nuk është hera e parë që në Kukës ndodhin incidente të tilla.

U luajt sot edhe ndeshja mes Egnatias dhe Teutës, që përfundoi në barazim, 0-0. Duhet theksuar se ekipit rrogozhinas iu anuluan 2 gola në këtë ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë