Nga Liridon Mulaj- Qyteti i Peshkopisë, në një paradite vere, është thuajse i boshatisur. Rrugët janë të ngushta dhe për këtë arsye është shumë e lehtë të bllokohesh në kryqëzime pa rrugëdalje. Nëpër kafene ka pak njerëz. Grumbuj tullash të rreshtuara në anë të rrugës dhe punëtorë me jelekë pune gjenden përgjatë bulevardit “Elez Isufi”, i cili po rikonstruktohet sërish, çka e bën të pamundur shëtitjen e paradites.
Në katin përdhes të Pallatit të Kulturës dëgjohen zërat e gjyshërve, të cilëve u është lënë kjo hapësirë për të luajtur domino, në një vend të freskët, larg vapës.

Shkolla ka mbaruar dhe, siç duket, fëmijët janë larguar për pushime, duke ua lënë kështu për pak kohë rradhën të moshuarve për të zhurmuar në qytet.
Por gjithsesi, jeta në Peshkopi ecën. Rruga e Arbërit e ka shkurtuar ndjeshëm distancën me Tiranën dhe, për këtë, banorët janë tejet të lumtur.
“Ne jemi shumë të lumtur tashmë,” – thotë një nga punonjëset e bibliotekës. – “Dikur bënim pesë orë rrugë deri në Dibër. Tani na duket sikur mbërrijmë sa hap e mbyll sytë.”
Por Rruga e Arbërit sjell me vete edhe njerëzit, vizitorët, turistët për të cilët Dibra duket se nuk është ende gati.
Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Rrahim Spahiu, thotë për Gazetasi.al se me hapjen e Rrugës së Arbërit janë shtuar ndjeshëm vizitorët.
“Rruga e Arbërit ka sjellë shumë vizitorë. Kjo na ka gjetur të papërgatitur për këtë fluks, ndaj kemi ndërhyrë në zgjerimin e disa rrugëve të qytetit dhe shpresojmë që edhe kapacitetet e fjetjes dhe akomodimit të zgjerohen tashmë me iniciativa private,” shpjegon Spahiu.

Ai shton se tashmë janë shtuar edhe kërkesat për banesa në Peshkopi.
“Janë dhënë disa leje ndërtimi për godina banimi në Peshkopi, sepse ka shumë kërkesa për të blerë shtëpi, kryesisht nga dibranë që janë larguar dhe duan të kenë tashmë një banesë këtu,” – thotë Spahiu.
Jeta kulturore në Peshkopi nuk ndalet, as nga temperaturat e larta. Në bibliotekën e qytetit po mbahet një takim letrar me shkrimtarët Flutura Açka dhe Ylljet Aliçka. Të nesërmen, një trupë teatrore do të japë shfaqje në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës.

Por Peshkopia mbetet një qytet me traditë të vjetër dhe i dashur për vizitorët, edhe atëherë kur rrugët ishin sfilitëse dhe qyteti, ndoshta, ishte më pak i bukur se sot.
Jufkat, kur procesi mekanik zëvëndëson tradicionalen
Një nga arsyet kryesore dhe atraksionet më të vizitueshme mbetet “Bujtina e Jufkave” një restorant tradicional i pozicionuar në dalje të qytetit, mbi një kodrinë, prej nga mund të soditësh të gjithë peizazhin që nis në lëndinat përreth dhe ngjitet deri në majën e Korabit.
Specialiteti i këtij restoranti janë, sigurisht, jufkat një ushqim i vjetër dhe tradicional, i cili tashmë nuk është vetëm dibran, por identifikohet kudo me origjinën e tij. Askush, si gratë e Dibrës, nuk di t’i gatuajë ato, edhe pse tashmë përpunimi kryhet mekanikisht.

Një nga gratë që punon në punishte na tregon se jufkat tani bëhen përmes proceseve mekanike, pasi metoda e vjetër ishte shumë e lodhshme:
“Jufkat janë traditë e Dibrës,” – thotë I.C. me njëfarë ngazëllimi.
“I kanë bërë stërgjyshet, gjyshet e nënat tona me shumë dashuri e përkushtim. Si produkt, jufka prodhohet nga veza, qumështi dhe mielli. Dikur bëheshim shumë gra bashkë, zinim brumin dhe e tëhollonim. Ishte proces i lodhshëm dhe i vështirë, sepse jufkat e Dibrës nuk i bën njeri si ne, ndaj përkushtimi ishte i madh.”
Por në Peshkopi, tashmë, gjërat kanë ndryshuar. Edhe jufkat prodhohen me makineri dhe procese mekanike, që nga zënia e brumit, tharja, tëhollimi i petëve e deri te prerja.

“Gjërat kanë ndryshuar. Tani jufkat i prodhojmë në makineri. Asgjë nuk ndryshon nga shija e tyre vetëm se është lehtësuar procesi i prodhimit dhe puna fizike. Jufkat kërkonin edhe shumë forcë për t’u përgatitur siç duhet. Ne prodhojmë këtu në sasi të mëdha dhe kryesisht për shitje, por sigurisht edhe për restorantin, pasi jemi të vetmit që zotërojmë makineritë e prodhimit të jufkave,” – na thotë punonjësja me inicialet I.C.
Ajo shton me keqardhje se tradita e jufkave, për shumë arsye, nuk po trashëgohet më te brezi i ri.
“Vajzat tona nuk i kemi mësuar të bëjnë jufka, pasi është një proces goxha i komplikuar. Ato i kanë gjërat gati pothuajse. Mendoj se tradita e të bërit jufka me dorë është drejt zhdukjes,” – përfundon ajo.
Por nëse tradita e përgatitjes me dorë është drejt zhdukjes, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për jufkat si produkt autentik i zonës. Tashmë, nëpërmjet makinerive dhe procesit mekanik, jufkat janë po aq të shijshme sa ato të bëra dikur në shtëpitë e gjyshërve.

Me shtimin e vizitorëve dhe kuriozitetin në rritje për të vizituar Dibrën, shpresojmë që jo vetëm jufkat të mos humbasin, por të rritet edhe interesi për traditat e pasura të kësaj zone, e cila ndër shekuj njihet për ndërtimtarinë dhe mikpritjen , dy elementë që tashmë kanë kapërcyer kufijtë e Dibrës për t’u shndërruar në atraksion kombëtar, gjithmonë duke ruajtur burimin e tyre: Dibrën dhe njerëzit e saj të mrekullueshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



