Ngjarje

T’i ikësh policisë me… autobus

“Jepi gaz autobusit”. Ky ka qenë urdhri i një të riu që pas verifikimeve rezultoi se nuk ishte një pasagjer i paduruar apo një qytetar që nxitonte për diku. Urdhëruesi rezultoi të ishte një i kërkuar që kishte thyer për të disatën herë masën e arrestit që e detyronte të qëndronte në shtëpi dhe mos ta kapërcente pragun. Gjykata e shpalli fajtor Aldo Kodrën, për largim nga vendi i vuajtjes së dënimit, një arratisje që nuk e kishte kryer as më pak dhe as më shumë dhe me asnjë nga teknikat e dëgjuara nga të dënuarit, por me një autobus linje! Për arratisjen me autobus, Kodra u dënua me një vit burg. Kundër vetes i riu kishte një sërë dëshmish të fatorinos dhe të shoferit që treguan se si pasagjeri ishte irrituar nga ndalesat stacion më stacion.

Arratisja me autobus

Sipas dosjes që mban numër 7041 dhe që Gazeta “Si” e disponon thuhet se policia u njoftua në sallën operative për një sherr mes pasagjerit dhe shoferit të autobusit të linjës së Tiranës së re. Në procesverbal përmendet se patrulla më e afërt është vendosur në ndjekje të autobusit, duke shoqëruar më pas dy të konfliktuarit, një djalë të ri që ishte i nevrikosur dhe njëkohësisht shoferi i autobusit, i cili gjithashtu ishte i acaruar.

Shoferi i autobusit rrëfeu se çfarë kishte ndodhur. “Një pasagjer që gjendej në autobus kërkoi t’i jepja gaz autobusit. U nxeh dhe urdhëroi ta rrisja shpejtësinë. “Por kur shoferi ka komentuar se nuk mundej të tejkalonte normat e shpejtësisë, pasagjeri është nxehur keq dhe ka filluar të ofendojë. “I thashë ruaj qetësinë se i ka fajet trafiku”, por ai nuk kontrollohej dhe na shau mua dhe fatorinon”. Në referimin që Gazeta “Si” po e zbardh përmendet se si në këtë çast ka reaguar fatorino që e ka bllokuar të nevrikosurin dhe ka kërkuar ndërhyrjen e policisë përmes telefonit.

Verifikimi

Policia është surprizuar kur ka disponuar mbi gjeneralitetet e pasagjerit që “nxitonte”. “Qytetari që goditi shoferin dhe fatorinon rezultoi se kishte thyer edhe më herët masën e arrestit shtëpiak. Pas kësaj ai është prangosur nga policia në maj 2019 pasi u përplas me policinë, por sërish doli me vendim gjyqësor dhe sërish pas shpalljes së masës detyrim paraqitje në korrik 2019, ai u rikthye nën masën arrest shtëpiak që sërish e theu duke tentuar të arratisej me autobus. Ky konstatim u dha për Gazetën “Si” nga një oficer policie që këqyri të dhënat personale në sistemin policor. Por gjatë gjykimit i riu u justifikua se po shkonte në spital, pasi kishte dëmtuar dorën duke bërë disa instalime në banesë. Ky version nuk u mbështet nga këqyrjet e mëpasshme të policisë që nuk raportuan dëme në trupin e të riut. I riu që tashmë u shpall fajtor është i skeduar edhe për ngjarje të mëparshme, që nga shpërndarja e drogës deri te konfliktet, ngjarje për të cilat në përfundim ka qenë e vështirë të provohen. Edhe pse, edhe për episodin e fundit kishte kundër tij një dëshmi nga shoferi i autobusit, edhe ai u tërhoq nga kallëzimi duke deklaruar “e fal se është çun i ri”. Por gjykata sidoqoftë i qëndroi rrëfimit të tij të parë dhe nuk e mori parasysh tolerancën e qytetarit.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë