Thurjen e lidhnim me gjyshet derisa në vendin tonë filluan edhe vajzat e reja të thurnin rroba, çanta dhe aksesorë të tjerë.
Tani, e gjejmë këtë aktivitet edhe tek një djalë 22-vjeçar i cili zgjodhi këtë biznes për të fituar të ardhura më të mira, në mungesë të një diplome.
Enriko Brakaj ishte 20-vjeç kur, siç tregon për Gazetasi.al, pas mbarimit të shkollës së mesme po kërkonte një punë. Kjo ishte e vështirë në qytetin e Fierit, ku “mundësitë për një 20-vjeçar e bëjnë të vështirë gjetjen e një pune me të ardhura të mira, që të mundëson jetesë komode”.

Kështu Brakaj nisi të mendojë për një biznes që i sillte të ardhura.
Ai vendosi të bëjë produkte si çadra dielli që është edhe produkti më i shitur, karrige, karrige lëkundëse, divane outdoor, hammock (shtrat i varur) dhe tenda me thurje me litar.
Në vitin 2020 Brakaj hapi zyrtarisht biznesin e tij që quhet “Knotline”. Asokohe i dukej më shumë si një ëndërr duke qenë se ishte e vështirë të gjejë lëndët e para por edhe sepse ishte fillimi i pandemisë, ku nuk ishte asgjë e sigurt.



Çdo produkt thuret me litar 100% pambuk. Brakaj tregon për Gazetasi.al se cilësia e këtij litari, puna handmade (e bërë me dorë) me grep dhe koha që merr një produkt për t’u bërë, bëjnë që një çadër të jetë më e shtrenjtë se çadrat normale të plazhit.
Litari me të cilin realizohen çadrat me thurje është 100% pambuk.
Është cilësia e këtij litari, si dhe puna handmade (e bërë me dorë) e thurjes me grep, e cila për një çadër kërkon dy ditë ose më shumë punë, që e bëjnë çmimin pak më të lartë sesa çadrat standard që shohim nëpër plazhe.
Gjithsesi, Brakaj thotë se 300 euro një çadër është një çmim më i ulët shitje në raport me tregjet ndërkombëtare.
Projektet më të mëdha që ai ka realizuar kanë marrë 3 muaj kohë.
Janë disa çadra në numër të konsiderueshëm, apo tenda deri në 100 metra katrorë me thurje.
Ky është viti i dytë i një pune intensive dhe shumë projekte kryhen duke pasur parasysh sezonin veror, por puna nis që në dhjetor që të jenë gati sapo nis vera.
Gjithsesi Brakaj thotë për Gazetasi.al se ka edhe projekte të tjera në zonat jo bregdetare, pasi produktet sjellin një stil Bohemian duke zgjeruar mundësitë përtej plazhit dhe rërës.
“Janë projekte në bare, restorante, hotele dhe resorte. Kombinimi i litarit me dru po preferohet shumë në arredimet e brendshme”, thotë Brakaj.
Fillimet për 22 vjeçarin kanë qenë të vështira, duke qenë se ishte i ri dhe biznesi që kishte zgjedhur ishte i veçantë. Kështu pak njerëz besonin se ai do të mund t’ia dilte, pak prej moshës e pak prej asaj që kishte zgjedhur të bënte, një punim që akoma nuk ishte i njohur në vendin tonë.
“Shumë herë kisha dyshime edhe vetë”, thotë Brakaj.



Një rol “negativ” luajti edhe viti që ai hapi biznesin. Ishte 2020, një vit i vështirë për njerëzit por edhe për bizneset.
Gjithsesi, për shkak të veçantisë së profilit, Brakaj tregon për Gazetasi.al se që në fillim ka marrë oferta nga kompani të ndryshme.
Brakaj tani ka punishten e tij ku ka punësuar gra dhe vajza të zonës. Ai po punon që të krijojë një markë dhe një showroom në mënyrë që të hapë rrugën edhe për tregje më të mëdha edhe pse Brakaj thotë për Gazetasi.al se për momentin, tregu në Shqipëri është mjaftueshëm i madh dhe është i lumtur që po sjell diçka ndryshe në bregdet por edhe në biznese të tjera që përfshijnë thurjen në arredimin e ambientit.
22-vjeçari, asokohe 20 vjeç nuk dinte të thurte. Kishte në fillim vetëm idenë që më pas e bëri realitet dhe në këtë moment mësoi edhe thurjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



