Gazeta Si – Gjermani Thomas Tuchel është emëruar trajneri i ri i kombëtares së Anglisë në futboll. Lajmi u njoftua zyrtarisht të mërkurën nga Federata Angleze e Futbollit. Sipas mediave britanike, Tuchel ka nënshkruar një kontratë 18-mujore, e cila hyn në fuqi më 1 janar 2025 dhe do zgjasë deri në fund të Kupës së Botës 2026.
Thomas Tuchel bëhet trajneri i tretë i huaj që drejton Anglinë pas suedezit Sven Goran Eriksson dhe italianit Fabio Capello.
Për 51-vjeçarin kjo do të jetë hera e parë që drejton një kombëtare, pasi në të kaluarën ka qenë vetëm në stolin e klubeve, si Mainz, Dortmund, PSG, Chelsea dhe Bayern Munich. Thomas Tuchel do të pasojë në stol të larguarin Gareth Southgate në kombëtaren e Anglisë.
Zgjedhja e një trajneri gjerman do të nënkuptonte se edhe anglezët do të linin mënjanë paragjykimet e vjetra për arsye historike.
Tuchel i përshtatet profilit të “menaxherit të klasit botëror që ka fituar trofe”, tha trajneri Lee Carsley, i cili drejtoi skuadrën përkohësisht, pas fitores 3-1 të Ligës së Kombeve ndaj Finlandës të dielën e kaluar. Gareth Southgate dha dorëheqjen pas humbjes në finalen e Kampionatit Evropian nga Spanja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.