Lajme

Thirrja e fundit amerikane: Vetëpërmbajtje dhe refuzoni dhunën

Ambasada Amerikane në Tiranë e ka nisur ditën e enjte me përsëritjen e thirrjes për qetësi dhe vetëpërmbajtje nga të gjitha palët.

Sinjalet e selisë diplomatike të Uashingtonit në Tiranë se protesta e paralajmëruar e opozitës mund të përshkallëzohet në skenare dhune edhe më të ashpra se protesta e 16 shkurtit duket se janë serioze.

“Shtetet e Bashkuara nxisin të gjithë pjesmarrësit në protestën e sotme që të ushtrojnë paqësisht të drejtën e tyre për t’u mbledhur dhe të refuzojnë dhunën, si dhe iu bëjnë thirrje qeverisë dhe forcave të sigurisë që të tregohen të përmbajtur”, thuhet në deklaratën amerikane.

https://www.facebook.com/usembassytirana/posts/10156187514200838

Të mërkurën, Ambasada shpërndau një njoftim sigurie për të gjithë shtetasit amerikanë që jetojnë e punojnë në vendin tonë. Në njoftim u kërkohej që të qëndronin larg nyjeve dhe shesheve ku parashikohen tubime dhe sidomos rrugës George Bush, para Parlamentit.

Paralajmërimi mbërriti pas deklaratës së ashpër kundër vendimit të opozitës për djegien e mandateve dhe paralajmërimit individualisht deputetëve opozitarë që do të ndërmerrnin këtë akt se do të mbanin përgjegjësi.

Ndërkohë, edhe OSBE u tregua e drejtpërdrejtë, duke i kërkuar opozitës që të tërhiqet nga vendimi i djegies së mandateve. Pas rënies së kësaj thirrjeje në vesh të shurdhër, OSBE doli me një deklaratë të dytë. Në të thekson se ndjen keqardhje që Partia Demokratike nuk dëgjoi paralajmërimet e miqve dhe partnerëve afatgjatë të Shqipërisë. Po ashtu thekson se ata që mundësojnë dhe nxisin dhunën do të mbajnë përgjegjësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë