Gjatë fjalimit të tij, pak pasi protestuesit nisën të hidhnin tymuese dhe flakadanë drejt kryeministrisë, kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka deklaruar se Shqipëria do të çlirohet nga zgjedhjet e vjedhura vetëm me largimin e Edi Ramës.
Ai e ka quajtur si detyrë patriotike dhe parakusht për të hapur rrugën drejt Europës. Sipas tij kjo rrugë nuk mund të hapet, përsa kohë që krimi drejton qeverinë dhe Parlamentin. Basha theksoi se zgjedhje me Ramën në 30 qershor nuk do të ketë kurrë.
“Kjo është beteja për Europën, nuk ka Europë pa ndëshkuar Ramën dhe politikanët, duke vjedhur zgjedhjet. Vjedhja e zgjedhjeve është themeli i çdo gjëje të keqe që ka pllakosur shqiptarët, – tha kryedemokrati. – Europa, hajdutët dhe autokratët i çon në burg. Por drejtësia e korruptuar nuk i kap, por i fal, sepse njeriu që ka lidhur pushtetin me krimin, në burg me kriminelët do përfundojë”.
Ai tha se asnjë hap pas nuk do të ketë në betejën e opozitës, sepse sipas tij shqiptarët janë zgjuar dhe ndërgjegjësuar.
“Bashkimi i Ramës me krimin duhet të ndalet, ai ka ndër mend të dhunojë sërish zgjedhjet e ardhshme, të githë duhet të jenë sot në burg… Rama është kasapi i zgjedhjeve, zgjedhje me krimin nuk do të ketë më, armata e lirisë ka zbritur në sheshe”.
Duke këmbëngulur për krijimin e një qeverie tranzitore, Basha nënvizoi se kjo është rruga e vetme për të mundësuar Shqipërinë në Europë.
“Kjo nuk është lojë, jo një rast për të treguar forcat, por beteja për jetë a vdekje, drejtësi europiane, ligje europian, ekonomi europiane, ose betejë deri në fund e deri në fitore. Me këtë ëndërr jemi mbledhur dhe kemi bërë hapa përpara. Kemi qëndruar në ditët më të zeza të diktaturës dhe Tiranisë së krimit. Kemi kërkuar dënimin e atyre që vodhën zgjedhjet, propozuam vettingun politik, por bashkimi i Edi Ramës me krimin ka një përgjigje, të dhunojë shqiptarët”.
Kryemadhi: Do ia pushtojmë zyrën Ramës për 1 sekondë!
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika kryemadhi, ka deklaruar për mediat gjatë protestës së sotme, se Rama po punon për të shtyrë zgjedhjet lokale.
Ajo tha se po të shohësh listat e kandidatëve të Rilindjes, kupton që Rama po tenton të largojë disa deputetë, pasi zgjedhje lokale nuk ka për të patur në 30 qershor.
“Kur kam parë listën e zgjedhjeve lokale të PS, kam menduar se Edi Rama po punon për t’i shtyrë. Ka ata deputetë që do ti largojë nga PS se ndihet i pasigurt dhe ca të tjerë që janë thjeshtë për të kaluar radhën në këtë fazë”, deklaroi ajo.
Ajo e kërcënoi kryeministrin me pushtimin e zyrës së tij dhe tha që për t’i privuar shqiptarët ta bëjnë këtë sot, Rama duhet të dalë e të shpallë zgjedhjet e parakohshme.
“Kam një mesazh për Edi Ramën që besoj se nuk do të jetë në zyrën e tij. Me gjithë ata njerëz aty në shesh ai e di se në një sekondë zyra e tij pushtohet. Ai e di që do të jetë shumë më keq nëse qytetarët i hyjnë në zyrë, ndaj të shpallë zgjedhjet e parakohshme një orë e më parë”, deklaroi Kryemadhi.
Kryemadhi shtoi më tej: “Kërkesa e opozitës nuk është thjeshtë kërkesë politike por ka të bëjë me mbijetesën e shqiptarëve. Nuk është akti final. Akti final është për rrëzimin jo të Ramës si individ, por rrëzimin e kapjes së shtetit. Është një proces që do vijojë edhe disa ditë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




