Lajme

Thertorja horror në Durrës, AKU bllokon 257 kg mish, mbyll biznesin

AKU në Durrës ka bllokuar sot ambientin ku kryhej therja e paligjshme e kafshëve të gjalla si dhe 257 kg produkte mishi të konfiskuara për asgjësim.
Në njoftimin zyrtar të AKU-së bëhet me dije se Drejtoria Rajonale e AKU-së Durrës ushtroi kontroll në subjektin Ramiz Shala (Katundi i Ri, Durrës) për therjen e paligjshme të kafshëve të gjalla dhe tregtimin e produkteve ushqimore të pasigurta.
Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se subjekti kryente procesin e therjes së kafshëve të gjalla në mënyrë të paligjshme në një ambient të improvizuar, ngjitur me njësinë e tregtimit të mishit. Ambienti ishte tejet i amortizuar, i vogël në hapësirë dhe nuk plotësonte asnjë normë të kritereve higjieno-sanitare apo teknike-teknologjike për procesin e therjes së kafshëve të gjalla. Mbetjet teknologjike të procesit të therjes të kafshëve të gjalla (ujërat, gjaku etj), përfundonin në kanal, duke mos u grumbulluar dhe u trajtuar në ndonjë ambient të posaçëm, duke kontaminuar mjedisin përreth.
Në të njëjtat mjedise të papërshtatshme ku kryhej therja e kafshëve të gjalla, subjekti përgatiste në mënyrë të paligjshme edhe produktin ushqimor “Sallam”, për të cilin nuk kishte asnjë dokumentacion në formën e kartës teknologjike apo etiketë mbi përbërësit dhe procesin e përgatitjes së tij. Në subjekt u evidentuan 257 kg produkte ushqimore (mish dhe nënprodukte të tij) të pacertifikuara dhe të pavulosura nga veterineri zyrtar, si dhe pa dokumentacionin përkatës (specifikisht 219 kg mish gjedhi, 14 kg mish deleje dhe 24 kg sallam).

Për shkeljet e evidentuara, AKU vendosi masat administrative:

Gjobë në vlerën 100,000 lekë për therje të kafshëve të gjalla në mënyrë të paligjshme,

Gjobë në vlerën 150,000 lekë për mungesën e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore,

Konfiskim të produkteve ushqimore (të cilat do t’i nënshtrohen procesit të asgjësimit) dhe mjetet e punës (çengela, thika etj) me të cilat është kryer aktiviteti i paligjshëm,

Bllokim i ambientit të improvizuar dhe të përdorur për kryerjen e procesit të paligjshëm të therjes së kafshëve të gjalla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë