Libra

‘Themeluesi’, figura e Ismail Qemalit në prizmin e koncepteve të lidershipit

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka bërë promovimin e librit “Themeluesi”, i shkruar nga studiuesi Evarist Beqiri. Libri trajton figurën e “atit të kombit”, Ismail Qemalit, në këndvështrimin e lidershipit të tij. Autori ka mbledhur të dhëna të shumta, të rralla e të vyera për këtë figurë të ndritur të historisë sonë kombëtare.

Libri përcjell me vërtetësi ndikimin që historia familjare ka pasur në formimin e karakterit të tij si prijës i ardhshëm i çështjes kombëtare, si dhe ka analizuar edhe rrugëtimin e Ismail Qemalit si nëpunës i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, gjatë të cilit ai kishte dëshmuar se zotëronte tipare e aftësi prej lideri.

“Ideja  për këtë libër lindi nisur nga boshllëku që ekziston në studimet për lidershipin në gjuhën shqipe dhe si një domosdoshmëri për të studiuar figurën e Ismail Qemal Vlorës në aspektin e lidershipit”, është shprehur autori i veprës.

Libri i përket zhanrit biznes/lidership dhe ofron një qasje të re për figurat historike shqiptare. Ai i shikon gjërat nën prizmin e koncepteve të lidershipit, duke iu mëshuar fakteve dhe rrethanave historike në të cilat veproi Ismail Qemal Vlora.

“Themeluesi” publikohet qëllimisht tani si një ogur i mirë në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. “Ne si shoqëri vuajmë për modele të mira dhe e kemi të nevojshme për t’i edukuar të rinjtë me modele dhe shembuj të këtij kalibri”, ka deklaruar autori.

Evarist Beqiri prej 14 vitesh shërben në administratën publike në fushën e sigurisë kombëtare. Njëkohësisht prej vitesh Beqiri është lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë