Lajme

Thellohet kriza e eksporteve, ranë me 7% në nëntor

Nga Gazeta ‘SI’ – Shifrat e tregtisë së jashtme vazhdojnë të jenë një shqetësim për ekonominë e vendit.

Sipas INSTAT, në nëntor të 2025-s, eksportet e mallrave ranë në 28 miliardë lekë, me një rënie prej 6.9 % krahasuar me një vit më parë dhe 10.1 % krahasuar me tetorin. Importet gjithashtu ranë, në 71 miliardë lekë, ndërsa defiçiti tregtar mbeti i lartë, 43 miliardë lekë.

Në njëmbëdhjetëmujorin 2025, eksportet u tkurrën me 7%, duke arritur 319 miliardë lekë. Në 11 muaj, importet u ulën vetëm 1%, në 807 miliardë lekë. Defiçiti tregtar u rrit me 3.4 %, duke arritur 488 miliardë lekë, shifra që theksojnë varësinë e madhe të vendit nga importet

Rënia më e madhe e eksporteve, në nëntor, ka ndodhur me Gjermaninë, 22.1% dhe Spanjën 17.6%, ndërsa u rritën me Kosovën 6.9%. Nga janari në nëntor, rënia më e madhe regjistrohet 11.2% me Kosovën dhe 10.7% me Italinë.

Rënia e eksporteve u nxit kryesisht nga grupet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve me -5,0 pikë përqindje dhe mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike me -1.6 pikë përqindje. Nga ana tjetër, disa grupe treguan ndikim pozitiv dhe ndihmuan të zbutet ulja e eksporteve, si ushqimet, pijet dhe duhani me +0.8 pikë përqindje dhe makineritë, pajisjet dhe pjesët këmbimore me +0.6 pikë përqindje.

Nga ana tjetër, importet shënuan uljen më të madhe me Gjermaninë, 8.9%, me Greqinë 2.8% dhe Italinë 1.5%. U rritën me 17% me Turqinë, 10.3% me SHBA dhe 7.4% me Kinën.

Gjatë njëmbëdhjetëmujorit, importet ranë me 12.5% me Turqinë, 6.2% me Gjermaninë dhe 1.,8% me Italinë. U rritën me 22.6% me Kinën.

Në nëntor 2025, importet ranë me 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënien e kanë nxitur kryesisht grupet “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -1.5 pikë përqindje dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0.8 pikë përqindje. Ndërkohë, grupet që dhanë ndikim pozitiv ishin “Ushqime, pije, duhan” me +1.1 pikë përqindje dhe “Prodhime druri dhe letre” me +0.3 pikë përqindje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë