Art dhe Kulture

“The Voice of Holland” ndërpret transmetimin nga ngacmimet seksuale të pjesëmarrësve

“The Voice Of Holland” është pezulluar nga transmetimi si pasojë e akuzave për abuzime dhe sjellje të pahijshme seksuale nga drejtuesit kundrejt konkurrentëve. Produksioni u shpreh se ka ndërprerë transmetimin për të hetuar akuzat e për “sjellje të pahijshme seksuale” dhe “abuzim me detyrën”.

Mes të akuzuarëve, është edhe drejtuesi i orkestrës së “The Voice”, Jeroen Rietbergen, i cili pasi kërkoi ndjesë, dha dorëheqjen. Shumë vajza reaguan duke thënë se kanë qenë viktima ose dëshmitarë të abuzimeve/sjelljeve të pahijshme seksuale gjatë kohës së këtij programi.

Ministrja e Drejtësisë i bëri thirrje të gjithë atyre që janë ndjerë të ngacmuar apo të abuzuar ndaj sjelljeve në program, të raportojnë menjëherë për të nisur hetimet.

Përfaqësues të televizionit RTL, ku transmetohej “The Voice”, thanë se ka akuza ndaj tre punonjësve dhe njëri nga ata është reperi në juri, Ali B, i cili i mohoi këto akuza.

Rietbergen pranoi se më herë ka kryer marrëdhënie me një nga vajzat në program dhe ka shkëmbyer mesazhe me përmbajtje të tillë me të.

Një program për sjelljet e pahijshme seksuale në “The Voice of Holland” do të transmetohet të enjten.

Burimi: Yahoo/ Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë