250 milionë dollarë. Është shuma e majme e kërkuar nga Demetrious Polychron, një shkrimtar që ka vendosur të çojë në gjykatë Jeff Bezos, Amazon dhe trashëgimtarët e J.R.R. Tolkien. Arsyeja? Shkelje e të drejtës së autorit.
Sipas aktakuzës, produksioni dyshohet se “kopjoi një pjesë të madhe” të punës së Polychron për të bërë serialin “The Rings of Poëer”, sezoni i dytë i të cilit po vjen në Prime Video. Konkretisht, libri i parë i një sage letrare në shtatë vepra, “The War of the Rings”, frymëzuar nga bota e krijuar nga Tolkien.
Materiali do të ishte depozituar nga autori në vitin 2017, në të njëjtin vit në të cilin ai do t’i dërgonte një letër nipit të Tolkien për ta informuar për projektin, duke i kërkuar që ta lexonte, pa marrë megjithatë asnjë përgjigje. Pas dy vitesh, avokati i tij kontaktoi me trashëgimtarët, sërish pa rezultat.
Si pasojë, Polychron shkoi personalisht në shtëpinë e nipit të krijuesit të “Middle-earth” për të dorëzuar një kopje të dorëshkrimit të tij. Rezultati? Heshtje absolute.
Marrëveshja për “The Rings of Power” midis Amazon dhe pasardhësve të Tolkien vlerësohet të jetë rreth 250 milionë dollarë. Pikërisht shuma e kërkuarar nga Polychron si kompensim.
“Bëhet fjalë për personazhe dhe komplote krejtësisht origjinale, të ndara, të cilat gjenden në rreth gjysmën e tetë episodeve të serialit të publikuar nga të pandehurit, – thuhet në padi. – Në shumë raste, ata kanë kopjuar të njëjtën gjuhë të librit. Në të tjera, imazhe që korrespondojnë me kopertinën dhe përshkrimet në brendësi”.
Në pritje të përfundimit të kësaj çështjeje ligjore, është e vështirë të imagjinohet se ky shkrimtar mund të fitojë çështjen kundër një kolosi si Bezos. Por një gjë është e sigurt: nëse nuk arrin të fusë në xhep 250 milionë dollarë, do të flitet gjatë për të. /La Stampa/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.