Futboll

Teuta nuk humb kohë për merkaton, firmos me mbrojtësin e Shpresave Elmando Gjini

Gazeta Si – Klubet e Superiores kanë filluar spastrimet ende pa u luajtur java e fundit e 2023-shit. Ndonjë prej tyre ndërkohë ka bërë edhe goditjen e parë të merkatos së dimrit, si në rastin e Teutës. Pasi ka larguar lojtarë si Gjumsi, Gjata dhe Iliazi, klubi durrsak ka njoftuar firmën me mbrojtësin e Kombëtares U-21, Elmando Gjini.

“Teuta njofton se qendërmbrojtësi Elmando Gjini është zyrtarisht pjesë e skuadrës sonë. Klubi ynë ka arritur një marrëveshje me lojtarin 21-vjeçar, i cili vjen te Teuta pas eksperiencës me Xhenoan U-21, ndërsa një sezon ka luajtur në Suedi. Gjini është kontigjent i ekipit tonë përfaqësues U-21”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit bregdetar.

Teuta po kalon një krizë të thellë, teksa ka mbetur në fundin e tabelës së renditjes. Ndryshimi në kontigjentin e lojtarëve ishte i detyrueshëm dhe drejtuesit e klubit nisën punën menjëherë.

Nga klubet e tjera mund të veçohet largimi i Eros Grezdës nga Partizani, apo shitja e Florent Hasanit nga Tirana te Rapid Bukuresht në Rumani. Edhe Vllaznia ka bërë të ditur mbylljen e marrëveshjes me disa lojtarë që ishin pjesë e saj deri tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë