Libra

Tetori i Letërsisë/ Nga festivali ‘Stephanophana’ te shpallja e Poetit laureat

Nga Gazeta “SI”- Muaji Tetor festohet prej vitesh si “Muaji i Letërsisë”. Ky muaj është kthyer në një festë të librit, ku lexues dhe shkrimtarë bashkohen në aktivitete letrare, panaire dhe takime.

Tetori ka një domethënie të veçantë për shqiptarët, sepse në këtë muaj kanë lindur figura të shquara të letërsisë shqipe si Gjergj Fishta, Migjeni dhe Dritëro Agolli.

Gjergj Fishta, françeskani i madh, lindi më 23 tetor 1871. Emri i tij është një ndër arsyet kryesore pse ky muaj është përcaktuar si muaji i letërsisë.

Po në Shkodër, më 13 tetor 1911, lindi Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla). Edhe pse jetoi vetëm 27 vite, ai la pas një krijimtari të fuqishme me “Poemën e Mjerimit”, lirika të ndjera dhe prozë të mprehtë, që prekën dhe vazhdojnë të prekin breza lexuesish.

At Gjergj Fishta

Ndërsa Dritëro Agolli, i lindur në të njëjtën datë me Migjenin, por 20 vite më vonë, u bë një nga poetët dhe prozatorët më të rëndësishëm të letërsisë moderne shqiptare, duke bashkuar rolin e shkrimtarit me atë të intelektualit aktiv në jetën publike.

Në nderim të këtyre tre kolosëve të letrave shqipe, muaji Tetor është shpallur si muaji i letërsisë. Nga shkollat fillore e të mesme, deri te universitetet dhe institucionet shtetërore, ky muaj shënohet me aktivitete të shumta ku shkrimtarët janë në qendër të vëmendjes.

Festivali letrar “Stephanophana” Roskovec

Muaji i letërsisë nis me Festivalin letrar “Stephanophana”, i cili këtë vit mbahet për herë të parë në qytetin e Roskovecit. Emra të njohur të letrave shqipe si Rita Petro, Alda Bardhyli, Agim Baçi, Primo Shllaku, Besnik Mustafaj, Namik Dokle dhe Monika Stafa, më 3 dhe 4 tetor e shndërrojnë qytetin në një hapësirë të dedikuar debatit, diskutimeve dhe leximeve autoriale.

E veçanta e festivalit është se zhvillohet në dy vende simbolike të qytetit: memorialin e dëshmorëve të atdheut dhe oborrin e kishës 700-vjeçare të Kurjanit.

Shpallja e Poetit laureat

Po në këtë muaj, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpall poetin laureat, i cili mban një mandat dyvjeçar. Në vitin 2025, ky titull do t’i kalojë pasardhësit të poetes Luljeta Lleshanaku, që e mbajti këtë rol nga viti 2023.

Juria e kryesuar nga Primo Shllaku dhe me anëtarë Ymer Çirakun, Majlinda Ramën, Koloreto Cukalin dhe Aleksandër Cipën, ka përzgjedhur tashmë dhjetëshen finaliste ku përfshihen emra të njohur si Mimoza Ahmeti, Ledia Dushi, Rita Petro dhe Sadik Bejko.

Poeti laureat ka për detyrë të nxisë krijimtarinë e poetëve të rinj dhe të zhvillojë aktivitete në shërbim të poezisë shqipe. Për të dytin vit radhazi, një nga kriteret bazë të përzgjedhjes është edhe pastërtia e figurës morale të autorit.

Konkursi mbarëkombëtar letrar “Gjergj Fishta” Lezhë

Aktivitetet kulmojnë më 23 tetor në Lezhë, ditën e lindjes së Gjergj Fishtës. Bashkia Lezhë ndan çmimet “At Gjergj Fishta” në tri fusha letrare: prozë, poezi dhe përkthim.

Këtë vit ceremonia gala zhvillohet për herë të parë në fshatin e lindjes së poetit kombëtar, Fishtë, aty ku ai kaloi vitet e para të jetës dhe ku sot është ngritur memoriali në nder të tij.

Procesi i seleksionimit të veprave ka nisur një muaj më parë dhe juria e përbërë nga Bajram Kosumi, Rudolf Marku dhe Ernestina Halili do të përzgjedhë fituesit në secilën kategori.

Muaji Tetor është një periudhë e ngjeshur me aktivitete letrare për të gjithë dashamirësit e librit, nga Veriu në Jug. Çdo institucion, sipas mundësive të veta, krijon hapësira ku debati dhe diskutimi i kushtohet librit. Ky muaj shërben gjithashtu si një nxitje për të rinjtë që t’i drejtohen leximit, sidomos autorëve shqiptarë, të cilët edhe pse shpesh të nënvlerësuar, mbajnë gjallë traditën e shkrimit shqip.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë