Njerez

Tetë vjet pa Dritëro Agollin

Nga Gazeta “SI”– Në datë 3 shkurt të vitit 2017 u nda nga jeta poeti dhe shkrimtari Dritëro Agolli, i cili ia doli të përbashkojë nën kulmin e artit poetik të gjitha shtresat sociale që nga punëtorët e thjeshtë e deri te akademikët. Agolli nuk ishte poet popullor siç shumë kritikë të soc-realizmit  tentuan ta quajnë dhe ta etiketojnë. Ai  ishte poeti i popullit, (një konotacion krejt tjetër) i cili ia doli të shkruajë poezi dhe të krijojë atë lloj arti të thjeshtë dhe estetik të cilin Ceslav Milosz e quante si “ Sistem të njëtrajtshëm mendimi ku do bashkoheshin fshatari që lëron tokën, studenti që merret me llogjikë matematikore dhe punëtori që punon në uzinë automjetesh”. Që nga thyerja e barrierava të poezisë skematike në vitet 60 e deri në ditët e fundit të jetës së tij, Dritëro Agolli mbeti poeti i vargut të latuar, plot ndjesi e sarkazëm. Ndoshta ishte kjo veçantia që e bëri atë poetin më të dashur e po ashtu më të lexuar nga të gjithë poetët e brezit të tij dhe të mëvonshëm.

Dritëro Agolli lindi më 13.10.1931 në Menkulas të Devollit. Ai ishte shkrimtar, publicist, veprimtar shoqëror dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1999). Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmen në shkollën “Asim Zeneli” (Gjirokastër), ku shkroi dhe sprovat e para letrare.

Dritëro Agolli në studion e tij

 Në vitet 1952–1957 ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit të Leningradit. Në vitet 1957–1972 punoi si redaktor e gazetar në të përditshmen Zëri i Popullit dhe më vonë që nga viti 1973 e deri në vitin 1992 ai mbajti detyrën e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Dritëro Agolli është një nga figurat qendrore të poezisë shqipe dhe një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të “brezit të viteve 1960”. Kritik ndaj frymës tradicionaliste dhe patriotizmit retorik, Dritëro Agolli solli në poezi ndjeshmëri e figuracion të ri, duke e përtërirë sistemin e vjershërimit shqip. Ai është prurësi i poezisë së “unit” të fortë.

Poezia e Dritëro Agollit u frymëzua nga ajo e Naim Frashërit por më moderne dhe aktuale duke shmangur frymën popullore dhe atdhedashëse të poezivë dhe duke iu dhënë ayre një karakter më modern dhe lirik.

Librat e tij të të botuar  “Hapat e mija në asfalt” (1961),  “Zhurma e erërave të dikurshme” (1964),   “Shtigje malesh dhe trotuare” (1965), “Devoll-Devoll” (1964), “Mesditë” (1968), “Baballarët” (1969), “Nënë Shqipëri”   “Komisari Memo” (1970),  “Njeriu me top” (1975)    “Fjala gdhend gurin” (1977),  “Trëndafil në gotë” (1980),  “Udhëtoj i menduar” (1985), “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypësi i kohës” (1995), “Fletorkat e mesnatës” (1999) do të bëheshin pjesë e një trashëgëmie të vyer të letërsisë shqipe.

Dorëshkrim

Romani më i rëndësishëm i Dritëro Agollit konsiderohet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”(1973). Një kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari, romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së pandashme të vartësit të tij. Produkt i njëri-tjetrit, dy personazhet kryesorë, Zyloja dhe Demka, sikurse ndodh pothuajse në të gjitha veprat me karakter humoristik, janë pasqyrë e anës qesharake dhe njëherësh dramatike të funksionimit të burokratizmit.

Dritëro Agolli shfaqi në poezi një përfytyrim vetjak për “temën e madhe”, duke kërkuar madhështi poetike prej përjetimeve të subjektit të zakonshëm; duke zgjeruar shumëfish hapësirën e realitetit në poezi dhe duke i ndryshuar rrënjësisht raportet ndërmjet tyre. Kjo poezi ndikoi në tërësi për një klimë letrare më të butë në Shqipëri. Krijimtaria poetike e Dritëro Agollit në thelbin e vet është liriko-epike, ndryshe nga ajo tradicionale, që mbahej kryesisht në lavdinë epike. Ai e pruri poezinë shqipe prej shqetësimit të përgjithshëm tek shqetësimi i njeriut. Poezia e tij përshkohet nga kulti i vendlindjes, i tokës, i bukës, i parmendës, i familjes, i prindit, i babait. Ajo sundohet nga bota e gjallë, shpirtëzimi i mjedisit, shenjtërimi i natyrës, i arës dhe bagëtisë.

Si kryetar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve , Agolli u dallua për tolerance ndaj veprave të cilat shpesh shkonin në kundërshtim më linjën ideologjike të Partisë Komuniste. Një ndër momentet më pikante dhe shënjuese në jetën publike të Agollit është dhe fjalimi i tij në Kongresin e 10-të të Partisë së punës ku ai kritikoi ashpër sistemin Enverist dhe ftoi delegatët për reformim. Fjalim i cili u prit me pakënaqësi dhe zhurma në sallë.

Agolli ka qenë deputet në Kuvendin Popullor dhe në Kuvendin e Shqipërisë për disa legjislatura (1974–2005) e gjithashtu është vlerësuar me Çmimin e Republikës të shkallës së parë dhe është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Poezia që la gjurmë të thella tek artdashësit “ Kur të jesh mërzitur shumë” e përdorur dhe si kolonë zanore e filmit “ Rrethimi i vogël” e kompozuar dhe kënduar nga Ardit Gjebrea, do të mbetet për shumë kohë një himn i melankolisë dhe dashurisë njerëzore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë