Gazeta Si – Tetë pistoletat e gjetura brenda një furgoni në Portin e Durrësit mbrëmjen e të hënës, ishin fshehur brenda një tavoline druri.
Policia e Durrësit bën me dije se u sekuestruan 8 pistoletat, krehëra me municion luftarak, aksesorë të ndryshëm armësh, 2 celularë dhe një shumë parash. Me urdhër të SPAK, i cili mori në dorë hetimet, u arrestua Jetmir Kolshi, drejtuesi i furgonit.
Mobilja ishte përshtatur me hapësira të veçanta, ku ishin fshehur pistoletat, 6 glock, 1 broëning dhe 1 helstar, dy të fundit prodhim i ri. Po ashtu janë sekuestruar edhe 200 fishekë pistolete.
Policia po verifikon personin qe ka dorëzuar tavolinën në fugonin që çonte pako nga Shqipëria në Luton të Anglisë.
Gjithashtu po verifikohet dhe adresa që tavolina ka pasur për t’u dorëzuar në Angli. Shoferi i furgonit Jetmir Kolshi, në dëshminë e tij ka thënë se nuk ka dijeni për armët.


Ai është shprehur se bën vetëm transport të mallrave të ndryshëm që dorëzohen nga shqiptarë dhe bën dorëzimin e pakove te të afërmit e tyre drejt Lutonit në Angli.
Ngarkesa e dyshimtë u konstatua fillimisht kur mjeti me targa angleze KS 15 NZN ka kaluar në skaner dhe pas sinjalizimit nga punonjësit e skanerit, policia në port ka ushtruar kontroll fizik në furgonin tip “Mercedes Benz”, ku në pjesën e bagazheve është konstatuar një tavolinë rreth 1 metër e gjysmë e gjatë e mbështjellë me letër transparente.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



