Rend dhe Ligj

Testi i drogës në polici, 45 punonjës dyshohen se janë përdorues droge, 1 përjashtohet

Gazeta Si – Nga 1736 punonjës policie të testuar për drogën, 45 kanë rezultuar pozitiv që prej datës 15 nëntor të vitit të kaluar kur nisi procesi.

Policia e Shtetit thotë në një njoftim se për kategorinë e “pozitivëve”, po kryhen hetime administrative nga Drejtoria e Standardeve Profesionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Një prej 45 efektivëve që pozitivë, është përjashtuar nga policia në bazë edhe të rrethanave të tjera të cilat vërtetojnë shkeljen e rëndë disiplinore.

LEXO EDHE:
– Testi anti-drogë në polici – A është një kurth ndaj Gledis Nanos?!
– Tërhiqet policia, testet e drogës në shtet. Por si fillim kalojnë nga privati
– Çfarë fshihet pas testit anti-drogë? Polici në prag pensioni rezulton përdorues
– “Marr ilaçe për menopauzë, por dola pozitive”, skandali me testet e drogës, policia përjashton urgjent nga kontrolli moshat e mëdha

Për kategorinë e të dyshuarve që tashmë kanë rezultuar pozitivë, do të zhvillohet një test i dytë, për t’u siguruar nëse janë përdorues të lëndëve narkotike dhe më pas pritet të ndërmerren hapa konkrete.

Nisma për testin e drogës u aplikua pak kohë pas marrjes së detyrës në krye të bluve të drejtorit Gledis Nano.

Sipas Nanos, kjo është një mundësi e vlefshme për rritjen e imazhit të policisë në komunitet dhe për fitimin e besimit të qytetarëve, “sepse kryerja e testit periodik për përdorimin e lëndëve narkotike, do të eliminojë akuzat e dashakeqësitë ndaj Policisë së Shtetit”.

Por testi i drogës ka nxjerrë edhe rezultate kontradiktore, gjë që ka shkaktuar konfuzion mes efektivëve.

Në një deklaratë në fund të vitit të shkuar, kryepolici i vendit sqaroi se analizat që janë zhvilluar në raundin e parë, do të kryhen sërish për konfirmim në institucione të tjera shtetërore.

Që në nisje të këtij procesi, me dhjetëra punonjës policie në moshë madhore, janë ankuar se testi i drogës që kanë kryer në laboratorët mjekësorë nuk ka qenë i saktë, teksa kanë rezultuar pozitivë.

Mes tyre ka pasur edhe punonjës policie, që kanë akuzuar laboratorët privatë për analiza fiktive dhe për falsifikim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë