Media Galeri

Testet e raketave të Koresë së Veriut, publikohen foto nga hapësira

Koreja e Veriut ka publikuar fotografi për të cilat tha se janë marrë nga lëshimi i raketës më të fuqishme në pesë vjet.

Fotot e pazakonta të marra nga hapësira tregojnë pjesë të gadishullit Korean dhe zonave përreth.

Pheniani konfirmoi se kishte testuar një raketë balistike me rreze të ndërmjetme Hwasong-12 (IRBM).

Me fuqinë e saj të plotë, raketa mund të udhëtojë mijëra milje, duke i vendosur zona si territori i SHBA-së Guam në distancë goditëse.

Ky test ka ngritur sërish alarmin në komunitetin ndërkombëtar.

Pheniani ka kryer një numër rekord prej shtatë lëshime raketash vetëm gjatë muajit të kaluar, një stuhi intensive aktiviteti që është dënuar ashpër nga Amerika, Koreja e Jugut, Japonia dhe vende të tjera.

OKB-ja e ndalon Korenë e Veriut nga testet e armëve balistike dhe bërthamore dhe ka vendosur sanksione të rrepta por shteti i Azisë Lindore rregullisht kundërshton ndalimin.

Çfarë ndodhi në lëshimin e Hwasong-12?

Koreja e Jugut dhe Japonia ishin të parat që raportuan lëshimin të dielën pasi e zbuluan atë në sistemet e tyre antiraketë.

Ato vlerësuan se raketa kishte fluturuar në një distancë të moderuar për një IRBM, duke mbuluar një distancë prej rreth 800 km dhe duke arritur një lartësi prej 2,000 km përpara se të ulej në ujërat jashtë Japonisë. Me fuqi të plotë dhe në një trajektore standarde, raketa mund të udhëtojë deri në 4000 km.

Koreja e Veriut konfirmoi lëshimin e raketës të hënën përmes mediave.

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA tha se testi i raketës ishte nisur për të “verifikuar saktësinë e tij”.

Një nga imazhet tregon momentin e lëshimit dhe një tjetër me sa duket tregon raketën në mes të fluturimit, të marra nga lart.

Pse e lëshoi ​​raketën Koreja e Veriut?

Analisti i Koresë së Veriut, Ankit Panda, tha se mungesa e udhëheqësit Kim Jong dhe gjuha e përdorur në media për të përshkruar lëshimin, tregojnë se ky test kishte për qëllim të verifikonte se sistemi i raketave funksiononte siç duhej.

Megjithatë, është hera e parë që Hwasong-12, një raketë me aftësi bërthamore të një madhësie të konsiderueshme, është lëshuar që kur Koreja e Veriut zhvilloi bisedime me SHBA-në nën administratën e mëparshme të presidentit amerikan Donald Trump.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë