Ne rrjet

Territoret, ushtarët, pakicat: Cilat janë pretendimet e Putinit për Ukrainën?

Presidenti rus rinis thirrjet e tij për paqe, por kushtet janë, në fakt, ekuivalente me një dorëzim. Dhe Kievi nuk e pranon atë që e quan "bllof"

Gazeta Si - I ashtuquajturi propozim rus i paqes, pjesërisht pason atë që Moska dhe Kievi diskutuan dy vjet më parë, kur negociatat e Stambollit u ndërprenë.

Pastaj secili fajësoi njëri-tjetrin për dështimin. Sot Vladimir Putin vendosi të dëgjojë zërin e tij edhe për të “prishur” samitin që po zhvillohet në Zvicër.

Dhe, mbi të gjitha, të rifillojë pozicionin e tij me kërkesa/diktate të tjera që ukrainasit betohen se nuk janë absolutisht të gatshëm t'i pranojnë.

Moska i kërkon Kievit të tërhiqet nga rajonet që nuk i ka pushtuar

Gjatë bisedimeve të vitit 2022, Moska e kishte zbutur pozicionin e saj dhe nuk kërkonte më që Kievi të njihte sovranitetin e saj mbi Donbasin dhe Krimenë.

Ishte e mundur që këto territore të mbeteshin në një lloj harrese dhe se statusi i tyre përfundimtar do të vendosej "brenda 15 vjetësh" dhe pa përdorimin e "mjeteve ushtarake".

Por sot, Putini kërkon shumë më tepër, duke qenë se ndërkohë ai ka përfshirë Krimenë dhe territoret e rajoneve Donetsk, Lugansk, Zaporizhzhya dhe Kherson (duke përfshirë zonat ende në duart e armikut) në Kushtetutë si pjesë të Federatës Ruse.

Prandaj ai dëshiron që ky sovranitet të njihet dhe që ukrainasit të tërhiqen. Sigurisht që është mirë të kujtojmë se këto do të ishin qëndrime fillestare, për t'u rishikuar në negociata.

Vetoja e Kremlinit për mbrojtjen e Kievit

Mos-hyrja e Ukrainës në NATO pothuajse ishte rënë dakord dhe Putini po e propozon sërish me forcë. Në atë kohë, nuk kishte marrëveshje për një pikë themelore: kush e garanton Kievin kundër pushtimeve të mundshme? Vendet nënshkruese, si SHBA, vendet evropiane, Kina, Turqia dhe, natyrisht, Rusia.

Por, ndërsa ukrainasit parashikuan një mekanizëm automatik që pas tre ditësh do të lejonte çdo garantues të ndërhynte qoftë edhe i vetëm, Rusia kërkoi të drejtën e vetos.

Sot kjo pikë është e vështirë për t'u zgjidhur, edhe sepse do të përfshinte çarmatimin e Kievit.

Moska tha se bëhet fjalë për jo më shumë se 100 mijë burra, 342 tanke dhe 102 avionë, si dhe mjete të tjera. Zelenski foli për 250 mijë burra, 800 tanke dhe 160 avionë.

“Denazifikimi” dhe garanci për ukrainasit rusisht-folës

Kremlini ka folur që në fillim për nevojën e "denazifikimit" të vendit fqinj dhe nuk është kuptuar kurrë se çfarë donte të thoshte.

Gjëja më e mundshme është se bëhet fjalë për kërkesën, e bërë në Stamboll në vitin 2022, për rregulla për të ndaluar festimin e "heronjve" që luftuan kundër Stalinit përkrah nazistëve.

Atëherë parlamenti duhet të njohë të drejtat e ukrainasve që flasin rusisht jashtë zonave të diskutueshme, duke anuluar rregullat që u kërkojnë atyre të përdorin vetëm gjuhën ukrainase.

Pas pushtimit, Putin foli në mënyrë eksplicite për heqjen e "klikës naziste" rreth Zelenskit, së bashku, natyrisht, me vetë presidentin. Tani, lideri rus duket se dëshiron të fokusohet mbi të gjitha në zëvendësimin e kreut të shtetit.

Mos-legjitimiteti i Zelenskit

I zgjedhur në vitin 2019, Zelenski e pa presidencën e tij të përfundonte afatin më 21 maj. Veç se me luftën e vazhdueshme dhe territoret e pushtuara, zgjedhjet u shtynë dhe mandati i presidentit u zgjat.

Putin thotë se kjo është e paligjshme: “Gjatë ligjit ushtarak, vetëm zgjedhjet e Radës (Parlamenti) mund të shtyhen”, shpjegoi ai, duke cituar Kushtetutën e Ukrainës.

Pra, ai nuk do të donte të merrej me Zelenskin, por me parlamentin. Në Rada, megjithatë, njerëzit e Zelenskit janë në shumicë, ndërsa ata të Partisë së Rajoneve (më vonë u bë Platforma Opozitare), e cila ishte pro-ruse, mungojnë plotësisht.

Nga tetori i vitit 2022, kjo parti madje është e paligjshme. Por në këtë mënyrë Putini do të shmangte takimin me armikun e tij të madh.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë