Mijëra njerëz janë ofruar që të adoptojnë vajzën e cila lindi nën rrënojat e një ndërtese të shembur në veri-perëndim të Sirisë, pas tërmetit më 6 shkurt.
Kur ajo u shpëtua, foshnja Aya, që do të thotë mrekulli në arabisht, ishte ende e lidhur me nënën e saj me kordonin e kërthizës.
Nëna, babai dhe të katër vëllezërit e motrat e saj vdiqën pasi tërmeti goditi qytetin e Jidayris.
Aya tani është në spital.

“Ajo mbërriti të hënën në një gjendje kaq të keqe, kishte mavijosje, ishte e ftohtë dhe mezi merrte frymë”, tha Hani Marouf, pediatri që kujdeset për të.
Ajo tani është në gjendje të mirë.
Videot e shpëtimit të Aya-s u bënë virale në rrjetet sociale. Pamjet treguan një burrë duke vrapuar nga mbeturinat e shembura të një ndërtese, duke mbajtur një foshnjë të mbuluar me pluhur.
Khalil al-Suwadi, një i afërm i largët, i cili ishte atje kur ajo doli nga rrënojat, e solli të porsalindurën te Doktor Marouf në qytetin sirian të Afrinit.
Mijëra njerëz në rrjetet sociale kanë kërkuar tani detaje për ta adoptuar atë.
“Do të doja ta birësoja dhe t’i jepja një jetë të denjë”, tha një person.
Një prezantuese televizive tha: Unë jam gati të kujdesem dhe të birësoj këtë fëmijë nëse procedurat ligjore më lejojnë.
Menaxheri i spitalit, Khalid Attiah, thotë se ka marrë dhjetëra telefonata nga njerëz në mbarë botën që duan të birësojnë Aya-n.
Doktor Attiah, i cili ka një vajzë vetëm katër muaj më të madhe se ajo, tha: Unë nuk do të lejoj askënd ta birësojë atë tani. Derisa të kthehet dikush nga familjarët e saj. Unë po e trajtoj atë si një nga vajzat e mia.
Për momentin, gruaja e tij po e ushqen me gji së bashku me vajzën e tyre.
Në qytetin e lindjes së Aya-s, Jidayris, njerëzit kanë kërkuar nëpër ndërtesat e shembura për familjarët e tyre.
Gazetari Mohammed al-Adnan i tha BBC-së se situata është një katastrofë.
“Ka kaq shumë njerëz nën rrënoja”.
Ai thotë se 90% e qytetit është shkatërruar dhe shumica e ndihmës deri më tani ka ardhur nga banorët vendas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




