Ngjarje

Tërmeti që goditi Greqinë u ndje edhe në Shqipëri. IGJEUM: Intensiteti ishte 6 ballë. 6 banesa të dëmtuara në Devoll

Lëkundjet e tërmetit të mbrëmshëm që ra në Follorinë të Greqisë, janë ndjerë më së shumti në zonën e Devollit, si zonë kufitare.

Sipas të dhënave të deritanishme, ka 6 raportime për dëmtime banesash, 2 në Bilisht, 2 në Mançurisht e 2 në Shuec, kryesisht banesa të vjetra.

Banorët kanë njoftuar instancat lokale në lidhje me situatën. Sipas komunikimit me kryetarin e bashkisë, Eduart Duro, grupet e emergjencave civile kanë nisur verifikimin në terren për rastet e raportuara.

Paraprakisht thuhet se banesat, të cilat janë bërë raportime për dëmtime, janë të vjetra dhe të amortizuara, të cilat kanë pasur probleme edhe më parë. 

Mbrëmjen e të dielës, lëkundje të forta sizmike u ndjenë në disa qytete të Shqipërisë, duke shkaktuar panik mes qytetarëve, por për fat të mirë nuk ka pasur persona të lënduar. Tërmeti u ndje në Tiranë, por edhe në zonat jugore dhe juglindore të vendit, si Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Berat, Elbasan.

Sipas të dhënave sizmiologjike, tërmeti ka qenë me epiqendër në zonën e Follorinës në Greqi me magnitudë 5.6 ballë, ndërsa dridhjet e forta janë ndier edhe në Maqedoninë e Veriut.

Disa minuta më vonë, dy tërmete të tjerë goditën Greqinë, njëri me magnitudë 3.5 dhe tjetri 4.8. Duke qenë se është më afër epiqendrës, zona me e goditur në Shqipëri është ajo e Korçës dhe e Pogradecit.

Departamenti i Sizmiologjisë i Institutit të Gjeoshkencave në Shqipëri njoftoi se tërmeti ka rënë në një thellësi 9 kilometra nën tokë.

“Sot në datën 09/01/2022, ora 22:43 (ora lokale), Rrjeti i Monitorimit Sizmologjik i IGJEO ka regjistruar një termët të madhësisë M5.6 sipas shkallës Rihter, me thellësi të vatrës 9 km. Epiqendra është lokalizuar 40 km në Veri-Lindje të Bilishtit. Intensiteti i tërmetit vlerësohet paraprakisht 6 ballë sipas shkallës MSK-64. Nuk kemi njoftime për dëme”, thuhet në njoftimin e Institutit të Gjeoshkencave.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi informon se Emergjencat Civile janë në gatishmëri për të evidentuar nëse ka dëme apo të lënduar.

“Lëkundjet e tërmetit që u ndjenë edhe në vendin tonë e kishin epiqendrën në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, sipas të dhënave paraprake nga IGJEUM, rreth 40 km në Veri-Lindje të Bilishtit me magnitudë 5.6 sipas shkallës Rihter. Intensiteti i tërmetit vlerësohet paraprakisht 6 ballë sipas shkallës MSK-64”, – thuhet në njoftimin e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë