Pak orë pas regjistrimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidati i Bindjes Demokratike në qarkun Lezhë, Salvador Kaçaj ka njoftuar se është tërhequr nga gara.
Nëpërmjet një letre drejtuar KQZ, Kaçaj shprehet se pavarësisht se kandidimin e ka parë si një mundësi për të garuar për të mirën e Lezhës, disa rrethana dhe informacione gjatë këtyre ditëve, e kanë nxitur që të rishikojë vendimin.
“Edhe propozimin për të përfaqësuar Bindjen Demokratike në 30 qershor e vlerësova si një mundësi për të marrë pjesë në një garë për të mirën e Lezhës. Disa rrethana dhe informacione gjatë këtyre ditëve më kanë nxitur të rishikoj vendimin për të qenë kandidat në zgjedhjet e 30 qershorit nën siglën e Bindjes Demokratike”, shkruan Kaçaj.
Kaçaj e cilëson garën pa opozitën si false dhe në shërbim të Edi Ramës, duke njoftuar kështu heqjen dorë nga BD për t’iu ribashkuar PD-së.
“Unë nuk mund të shërbej si fasadë e përpjekjes për të rikthyer në Shqipëri një regjim njëpartiak, të përzier me krimin. Është bindja ime më e thellë se zgjedhjet farsë, pa opozitën e vërtetë më 30 qershor do të ishin shkatërrimtare për qytetarët e Lezhës dhe të të gjithë Shqipërisë. Jo gjithmonë kam përkrahur vendimet politike të Partisë Demokratike, por gjykoj se beteja e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme është e drejtë dhe duhet përkrahur pa asnjë rezervë. Kjo e bën sot Partinë Demokratike të vetmen alternativë që përfaqëson realisht vlerat europiane”, shkruan më tej Kaçaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




