Biznes

‘Tërhiqen’ eksportuesit. Në fuqi detyrimi ligjor për punësimin e personave me aftësi ndryshe

Nga Gazeta ‘SI’- Shoqata e eksportuesve “Pro-Eksport Albania” ka zhvilluar një takim me zv.ministren e Financave Olta Manjani, pas kërkesës për t’u tërhequr nga detyrimi ligjor i punësimit të individëve me aftësi ndryshe, programi PAK, ku u vendos vazhdimi i nismës së qeverisë.

Në takim u dakordësua bashkëpunimi dhe zbatimi i mekanizmit të Fondit Social të Punësimit, ku do të shkojnë paratë e arkëtuara nga bizneset që plotësojnë këto kuota. 

“Në vendin tonë, detyrimi i punësimit nga subjektet private apo publike ka lindur që me ligjin e vitit 1995 ‘Për nxitjen e punësimit’, ku përcaktohej kriteri 1 në 25 punonjës. Sot, përmes ndryshimeve ligjore, të cilat  bëhen efektive në 1 janar 2024, kriteri është 1 në 25 punonjësit e parë dhe 1 PAK pas çdo 50 të punësuarve. Në total janë 9.000 persona me aftësi të kufizuara që pritet të punësohen, si në sektorin shtetëror dhe në atë privat”, tha znj. Manjani.

Programet synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitimin për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional, orientimin dhe këshillimin për punësim, shërbime mbështetëse, rikonstruksion dhe përshtatje të vendit të punës të personave me aftësi të kufizuar, programe riintegrimi social, etj.

Përfaqësuesit e shoqatës “Pro-Eksport Albania” vlerësuan masat e marra deri tani nga qeveria shqiptare, për të reduktuar efektet e luhatjeve të kursit të këmbimit, si shtyrja në kohë e pagesave të kësteve të tatimit mbi fitimin për pjesën e mbetur të vitit 2023, rimbursimi më i shpejtë i TVSH-së apo subvencionimi i pagës minimale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë