Drejtësia

Tentuan vrasjen e Xhevdet Plakut, SPAK kërkon rreth 30 vite burg për anëtarët e grupit kriminal, mes tyre dhe ish-shefi i Krimeve, Dedan Gjoni

Gazeta Si - SPAK ka kërkuar rreth 30 vite burg për 4 anëtarët e grupit kriminal, të cilët kishin planifikuar vrasjen e Xhevdet Plakut në 17 shtator 2019.

Bëhet fjalë për porositësin e vrasjes së dështuar, Rexhep Rapi, i njohur dhe si Kep Arapi, nipin e tij Algert Rapi, ish-shefin e Krimeve në Policinë e Shtetit, Dedan Gjoni dhe Dejvi Gjermenin.

Për Kep Arapin, SPAK kërkon dënimin e tij me 7.6 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar u kërkua dënimi me 5 vite heqje lirie.

Xhevdet Plaku (Akili)

Për Algert Rapin kërkohet 7.4 vite burg, ndërsa me gjykim të shkurtuar u kërkua dënimi me 4.8 vite heqje lirie.

E njëjta kërkesë u lexua nga SPAK në pretencë edhe për Dedan Gjonin, ish-shefin e Krimeve në Komisariatin nr. 6 dhe Dejvi Gjermenin, për të cilët po ashtu u kërkua dënimi me 4.8 vite burg me gjykim te shkurtuar.

Këta shtetas akuzohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xhevdet Kiss (Plaku), kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Ky hetim i SPAK nisi mbi bazën e informacionit të përcjellë nga Prokuroria e Rrethit Limburg, Holandë. Nga verifikimet rezultoi se Dedan Gjoni ka thirrur në komisariat “Akilin” dhe u ka thënë autorëve orarin që do e lironte dhe u ka nisur foto të tij. Më pas kjo ngjarje nuk është realizuar dot pas autorët janë tërhequr.

Nga provat rezultoi se urdhri për krimin u dha nga Holanda. Hakmarrja mes Plakut dhe Arapit e ka zanafillën që në vitin 2000. Kep Arapi dyshonte se Plaku, i njohur si “Akili” me 25 identitete ka marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tij. Konflikti i vitit 2000 dyshohet për çështje të trafikut të drogës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë