Lajme

Tension te Bregu i Lumit, rinis aksioni për prishjen e banesave

Edhe mëngjesin e sotëm vijon tensioni te Bregu i Lumit. Forca të shumta policore dhe fadroma kanë shkuar që herët për të prishur banesat në Bregun e Lumit, siç shihet edhe në këtë video të shpërndarë nga PD.
Policia ka larguar nga banesat e tyre të gjithë qytetarët, duke lejuar kështu fadromat që të nisin punën. Gjithashtu, uniformat blu kanë larguar nga zona edhe ish- deputetët e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, Klevis Balliu dhe Aldo Bumçi, të cilët u ishin bashkuar banorëve që në nisjen e protestës së ditës së sotme.
6 prej banorëve janë ndaluar nga Policia, pasi kanë kundërshtuar me forcë uniformat blu. Ndërkohë, si pasojë e konfrontimeve, 3 qytetarë kanë marrë lëndime në trup dhe janë dërguar në spitalin e Traumës.
Janë 38 banesa në zonën e Bregut të Lumit që janë përjashtuar nga skema e dëmshpërblimit dhe iu është ndërprerë procesi i legalizimit. Banorët kërkojnë dëmshpërblim para se të vijohet me projektin e zgjatimit të Bulevardit të Ri.

https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/434669394003112/?epa=SEARCH_BOX

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ndodhur në zonën e Bregut të Lumit ka deklaruar në një prononcim për mediat se policia ka dhunuar e tërhequr zvarrë banorët që kërkojnë të drejtën e tyre.
“Dhunë e paprecedent, ky shtet që ka kriminalizuar çdo strukturë të tij, s’ka sjellë kaq polici as për kriminelët më të rrezikshëm, ndërkohë që sot këtu për gratë e fëmijët ka sjellë kaq shumë policë. Unë jam pa fjalë, janë dhunuar e janë rrahur zonjat. Fëmijët janë zgjuar nga gjumi e nuk janë lejuar të shkojnë në shkolla. Ata po dridhen nga i ftohti sepse janë nxjerrë me dhunë nga shtëpitë e tyre”, tha Tabaku ndër të tjera.
Ndër të tjera, ajo tha se Avokati i Popullit duhet të vijë dhe të shohë se ç’po ndodh me këta banorë dhe sesi po dhunohen nga shteti.

Po ashtu, Partia Demokratike ka akuzuar policinë se ka përdorur gaz lotsjellës për të larguar banorët nga shtëpitë e tyre. Nëpërmjet një videoje të publikuar nga Partia Demokratike, teksa shihet një shtëllungë e madhe tymi, PD shkruan: Video e përdorimit të gazit lotsjellës ndaj banorëve të Bulevardit, sot në orën 6 të mëngjesit.
Ndërkohë, kështu është shprehur edhe një prej banorëve e cila ndodhet në Spitalin e Traumës. Në një bashkëbisedim me ish-deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu, Flora shprehet se është dëbuar me dhunë nga policia dhe se ndaj banorëve është hedhur gaz lotsjellës.
“Flora, e dëbuar me dhunë nga policia, denoncon nxjerrjen jashtë shtëpisë me gaz lotsjellës. Ajo është e shtruar në Spitalin Ushtarak me disa fraktura në trup dhe në këmbë”, shkruan PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë