Gjykata e Lartë ka kthyer për rigjykim çështjen për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, duke prishur vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila la në burg 7 të dyshuarit të përfshirë në skemën e abuzimit me këtë çështje dhe një tjetër në ‘arrest shtëpie’.
Për tenderin me vlerë 28 milionë euro, janë arrestuar disa zyrtarë, mes tyre dhe Edlira Naqellari, ish-drejtoresha e blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme.
Naqellari, së bashku me ish-zyrtarët e tjerë, mes tyre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Kreshnik Bejkaj, Ani Omuri, Klevis Hasani, Fatmir Demneri, Gëzim Mingaj dhe Mariglen Buzali, akuzohen “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Nga hetimi, dyshohet se janë kryer veprime të kundërligjshme nga Edlira Naqellari në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të cilët, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik
Procedurat e tenderimit nisën që në 2019-ën dhe sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar më uniformat, këpucët dhe shpërndarja. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme ka bërë bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, çfarë ka çuar deri në rritje të çmimit, ulje të sasisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.