Menaxhim

Tenderi 1.5 mld lekë/ Qeveria do të ndërtojë nga fillimi portalin e-Albania

Nga Gazeta 'SI' - Qeveria e Shqipërisë do të ribëjë edhe njëherë portalin e-Albania për rreth 1.5 miliardë lekë.

Sipas një tenderi të hapur nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, synohet përmirësimi i shërbimeve të këtij portali, implementimi i teknologjisë në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar, mikroorganizimi i shërbimeve, krijimi i raporteve dhe analizave etj.

“Të dhënat e disponueshme tregojnë boshllëqe në aksesin dhe cilësinë e shërbimeve publike, pjesërisht për shkak të kufizimeve të teknologjive ekzistuese të vjetra dhe pjesërisht për shkak të niveleve të ulëta të aftësive dixhitale në popullatën shqiptare, dhe këto dhe sfida të tjera janë në qendër të vëmendjes të strategjive të reja ambicioze të qeverisë,” thuhet në dokumentat e tenderit.

Operatori ekonomik i interesuar për të implementuar e-Albania 2.0 duhet të ketë një xhiro vjetore jo më të vogël se 20% e vlerës së fondit limit të kontratës.

Të interesuarit kanë kohë deri më 15 korrik për të paraqitur ofertat e tyre.

Nga ana tjetër, AKSHI-t i është dashur të anullojë dy herë tenderin 300 mln eurosh të Inteligjencës Artificiale në kuadër të integrimit në BE, me arsyetimin se asnjë nga ofertat nuk përmbushte kushtet.

Sipas renditjes së kryer nga Open Data Albania, AKSHI renditet në vend të pestë si institucioni me më shumë shpenzime. Në 2023-shin, agjencia përfitoi më shumë se 10 miliardë lekë nga buxheti i shtetit ose mbi 60% më shumë se në 2022-shin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë