Rend dhe Ligj

‘Tempulli 2’, çifti i bashkëshortëve në Selitë e hidhte kokainën në tualet për të fshehur gjurmët

Gazeta Si – Në mesin e 273 personave të arrestuar gjatë operacionit policor “Tempulli 2”, janë edhe një çift bashkshortësh, të cilët shisnin lëndë narkotike në zonën e Selitës në Tiranë.

Sipas burimeve paraprake, burrë e grua me iniciale F.K. dhe M.K., jetonin në katin e katërt të një pallati dhe për të kryer aktivitetin kriminal bashkëpunonin me nipin e tyre.

Policia më herët nuk kishte mundur të dokumentonte përfshirjen në shitjen e drogës për shkak të skemës që ata përdornin.

Apartamenti ruhej dhe survejohej nga kamera sigurie, të cilat mbaheshin në vëzhgim dhe sa herë ndërhyhej për kontroll nga policia, çifti i shpërndarësve të kokainës e asgjësonte drogën në tualet, duke mos lënë asnjë gjurmë, megjithatë në operacionin e së hënën u arrit të kapej sasi e konsiderueshme kokaine, e bërë gati në doza për t’u shpërndarë pasi ndërhyrja u bë nga forcat elitë RENEA, të cilët vunë në pranga të tre, bashkë me nipin.

Dy bashkëshortët përdornin nipin e tyre, i cili në katin e parë merrte paratë nga blerësit e dozave të kokainës dhe më pas konsumuesi ngjitej në kat të katërt për të marrë lëndën narkotike.

Në finalizim të operacionit “Tempulli 2” policia e Tiranës u përqëndrua në zonat problematike si Alliasi, Kafja e Rremës, Selita, Kinostudioja dhe në zonën e ish-Bllokut në klube dhe bare.

Gjatë këtij operacioni, në kryeqytet u sekuestruan 5.3 kg kokainë, 14 kilogram kanabis doza të shumta heroine si edhe sasi të konsiderueshme parash të përfituara nga ky aktivitet kriminal.

Një ditë më parë, 7 grupe kriminale u goditën në fazën e dytë të operacionit “Tempulli 2” në të gjithë vendin.

Në total u arrestuan 273 persona, të dyshuar si shpërndarës të drogave të ndryshme kryesisht adoleshentë.

Pas disa orësh kontrolle, policia, përveç dozave të shumta të lëndëve narkotike, të kanabisit dhe kokainës, sekuestruan dhe armë zjarri.

Aksioni i policisë është vijim i fazës së parë të operacionit “Tempulli”, ku në total u goditën 24 grupe kriminale dhe u arrestuan gjithsej 530 persona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë