Moti

Moti merr kthesë / Stuhi breshëri në Korçë, era rrëzon çati dhe shkatërron vreshtari (Video)

Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë orëve të paradites vendi ynë u mbizotërua nga moti i kthjellët dhe vranësira të pakta në bregdet dhe zonat e ulëta ndërsa me kthjellime dhe vranësira disi më të shpeshta u paraqiten zonat malore përgjatë shtrirjes Lindore.

Pas ditëve përvëluese me temperatura të larta, dita e sotme në qarkun e Korçës ka sjellë reshjet e shiut shoqëruar me stuhi ere dhe breshër në disa zona.

Më të dendura reshjet kanë qenë në fushën e Maliq, ku kanë sjellë dëmtime jo vetëm në kultura bujqësore e drufrutore, por në fshatin Sovjan era e fortë ka  rrëzuar çatinë e një objekti.


Stuhia e breshërit që ka zgjatur për 30 minuta në fushën e Maliqit ka shkaktuar dëme të shumta në vreshtari, kultura bujqesore dhe frutikulture.

Dëmet me të mëdha janë shkaktuar në fshatin Koritë.

Sipas banorëve dëmet me të mëdha janë në vreshtari dhe perime. Sipas tyre, për shkak të stuhisë se madhe balta ka hyrë në oborret e banesat e tyre.

Dëme ka patur edhe në fshatrat Sovjan e Pirg, aq sa stuhia ka hequr çati banesash.

Nga ana e bashkisë Maliq bëhet me dije se do të ngrihet një grup pune për të verifikuar dëmet e shkaktuara nga breshëri.

Ndërkohë stuhia e breshërit ka dëmtuar një fermë bletësh në fshatin Bregas.

Ardian Pane, bletrritësi i njohur nga fshati Vreshtas i kishte vendosur rrëzë Malit të Thatë fermën e bletëve për shkak kullote por ditën e  sotme erat e forta shoqëruar me breshër i kanë shkatërruar pothuajse gjithë kosheret duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik.

Ky është viti i 6 radhazi që fermerët e juglindjes së vendit dëmtohen nga fatkeqësitë natyrore, ku në asnjë moment nuk kanë marrë dëmshpërblim.

Temperaturat e ajrit kanë pësuar rënie si në vlerat minimale edhe në ato maksimale duke u luhatur nga 16°C temperatura më e ulët e shënuar në qytetin e Ersekës deri në 36°C vlera më e lartë në rang territori.

Këtë javë që vjen vendi ynë pritet që të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme si pasojë e tërheqjes së masave ajrore të nxehta me origjinë nga veriu i Afrikës dhe depërtimit të masave ajrore të freskëta e të lagështa me origjinë nga veriu i Europës 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë